Ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Aivo Orav, ka thënë se shpreson në konstituim të shpejtë të Kuvendit të Kosovës.
Në një deklarim për media një ditë pasi Gjykata Kushtetuese njoftoi se seanca e Kuvendit të Kosovës nuk ka përfunduar dhe dha afat 12 ditë për zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb, Orav tha se aktualisht janë duke analizuar aktgjykimin, edhe pse Kushtetuesja ende nuk e ka publikuar të plotë të njëjtin.
“Ne, ashtu si njerëzit në Kosovë, e kemi marrë këtë informacion tash kohët e fundit, në të njëjtën mënyrë edhe Bashkësia Ndërkombëtare e mori po ashtu kohët e fundit, dhe ne po e analizojmë për momentin. Por, sigurisht, shpresa jonë është që Kuvendi të konstituohet sa më shpejt të jetë e mundur, dhe shpresojmë shumë që edhe të ketë një qeveri të plotë sa më shpejt”, theksoi Orav.
Kryeparlamentari Dimal Basha e kishte shpallur të konstituuar Legjislaturën e Nëntë në fund të muajit gusht, pavarësisht që nuk u arrit të votohej nënkryetari i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.
Gjykata Kushtetuese vendimin e 30 shtatorit e ka marrë pas ankesës së Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, lidhur me votimin ndaras të kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit nga radhët e komuniteteve joshumicë.
Orav në fund të deklaratës së tij u bëri thirrje partive parlamentare që ta konstituojnë Kuvendin dhe ta formojnë Qeverinë sa më shpejt.
Gjykata Kushtetuese në vendimin e djeshëm tha se seanca konstituive nuk ka përfunduar, pasi që nuk është zgjedhur nënkryetari serb i Kuvendit.
Seanca konstituive nisi më 15 prill dhe nga atëherë ajo nuk ka arritur të konstituoj Kuvendin dhe formojë Qeverinë e re.