| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Izraeli do ta shqyrtojë ndërtimin e 747 njësive të reja të vendbanimeve në Bregun Perëndimor
Organizata tha se takimi po zhvillohet “më pak se 12 orë pasi 12 vendet perëndimore njoftuan planet për të vendosur kufizime tregtare ndaj mallrave nga vendbanimet”.
Izraeli do ta shqyrtojë ndërtimin e 747 njësive të reja të vendbanimeve në Bregun Perëndimor
Izraeli do ta shqyrtojë ndërtimin e 747 njësive të reja të vendbanimeve në Bregun Perëndimor/ AA

Sipas një organizate izraelite për të drejtat e njeriut, komitet i qeverisë izraelite sot pritet të shqyrtojë planet për ndërtimin e 747 njësive të reja të vendbanimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar, një ditë pasi 12 vende perëndimore njoftuan synimin për të vendosur kufizime ndaj mallrave nga vendbanimet e paligjshme.

“Bimkom - Planifikuesit për të Drejtat e Planifikimit”, një organizatë izraelite e majtë që kundërshton zgjerimin e vendbanimeve, tha në një deklaratë se nënkomiteti për vendbanimet i Administratës Civile ishte planifikuar të shqyrtonte tre plane për vendbanime në Bregun Perëndimor.

Organizata tha se takimi po zhvillohet “më pak se 12 orë pasi 12 vendet perëndimore njoftuan planet për të vendosur kufizime tregtare ndaj mallrave nga vendbanimet dhe i bënë thirrje Izraelit që ta ndalojë menjëherë zgjerimin e vendbanimeve dhe dhunën e kolonëve”.

Qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu që nga marrja e detyrës në fund të vitit 2022 ka deklaruar se ka miratuar krijimin e 104 vendbanimeve të reja dhe ka ngritur 160 pika bujqësore në Bregun Perëndimor.

Sipas një analize të "Bimkom"-it, tre planet përfshijnë gjithsej 747 njësi banimi në vendbanimet Yitav West, Ma’oz dhe Adi Ad. Njëri prej planeve, tha organizata, parashikon krijimin e vendbanimit Yitav West në Luginën e Jordanit.

Plani përfshin një sipërfaqe prej rreth 200 dynymësh (50 akra) dhe parashikon 281 njësi banimi pranë një zone ku kishte jetuar komuniteti palestinez Ras Ein al-Auja. Sipas organizatës, banorët e komunitetit e kishin përdorur tokën e përfshirë në plan për kullotje dhe bujqësi.

"Bimkom" tha se Ras Ein al-Auja ishte komuniteti më i madh palestinez i blegtorëve në Bregun Perëndimor derisa banorët e tij u detyruan të largoheshin nga zona në fund të janarit pas “dhunës dhe presionit të vazhdueshëm” nga kolonët.

Sipas të dhënave palestineze, rreth 750 mijë kolonë izraelitë jetojnë në 156 vendbanime dhe 360 pika të tjera kolonizuese në Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor të pushtuar. Komuniteti ndërkombëtar i konsideron të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare vendbanimet izraelite të ndërtuara në territorin e pushtuar palestinez, qëndrim të cilin Izraeli e kundërshton.