Macron: Energjia bërthamore, kyç për pavarësinë dhe sovranitetin energjetik

Presidenti francez Macron ritheksoi rëndësinë e energjisë bërthamore për "pavarësinë dhe sovranitetin energjetik" ndërsa bëri thirrje për bashkëpunim dhe investime të mëtejshme.

By
Macron: Energjia bërthamore, kyç për pavarësinë dhe sovranitetin energjetik / AP

Presidenti francez Emmanuel Macron ritheksoi sot rëndësinë e energjisë bërthamore për "pavarësinë dhe sovranitetin energjetik" ndërsa bëri thirrje për bashkëpunim dhe investime të mëtejshme.

"Energjia bërthamore është kyç për ta pajtuar pavarësinë dhe sovranitetin energjetik, dekarbonizimin dhe arritjen e neutralitetit të karbonit deri në vitin 2050 si dhe konkurrueshmërinë, e cila mundëson krijimin e vendeve të punës në ekonomitë tona", tha Macron gjatë fjalimit të tij në Samitin e Energjisë Bërthamore të mbajtur në Paris.

Ai theksoi nevojën për konkurrueshmëri dhe rrjedhimisht energji të prodhuar sa më lirë që të jetë e mundur, duke trajtuar problemet e planetit përmes uljes së emetimeve me prodhimin e energjisë bërthamore.

"Ne duam pavarësi më të madhe dhe shohim në kontekstin gjeopolitik me të cilin përballemi se si, kur jemi tepër të varur nga hidrokarburet, kjo mund të bëhet një mjet presioni apo edhe destabilizimi", shtoi Macron. Ai theksoi më tej se standardizimi mes vendeve është thelbësor për të fituar konkurrueshmëri në sektor.

"Nuk mund të jemi fitimprurës dhe konkurrues nëse krijojmë çdo herë një prototip të ri. Prandaj, duhet të standardizojmë mes vendeve tona dhe të standardizojmë sa më shumë të jetë e mundur mes prodhuesve të ndryshëm për të vendosur standarde kapaciteti", tha Macron.

Duke rikonfirmuar se energjia bërthamore është integruar më mirë në legjislacionin dhe strategjitë evropiane, Macron i bëri thirrje bllokut që të shkojë edhe një hap më tej. Ai bëri thirrje për projekte në shkallë të gjerë, burime të përbashkëta, financim kolektiv dhe ndërlidhje, duke ritheksuar nevojën për një projekt të madh me interes të përbashkët evropian.

Macron u bëri thirrje aktorëve publikë dhe privatë që të luajnë rolin e tyre në vazhdimin e mobilizimit të investimeve për zhvillimin e energjisë bërthamore civile.

"Duhet të bashkëpunojmë në nivel ndërkombëtar për të bërë përparim në këtë pikë, në mënyrë që ta diversifikojmë furnizimin tonë. Kjo është absolutisht kyçe për të siguruar furnizimin tonë me uranium dhe për të reduktuar varësinë nga goditjet gjeopolitike. Duhet të vazhdojmë të investojmë dhe të inovojmë për të arritur pasurim të mëtejshëm", tha ai.