Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur në seancë plenare, ndërkohë përveç disa projektligjeve, ishte parashikuar edhe interpelancë me ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi, mbi sektorin e industrisë së mbrojtjes, e cila është shtyrë.
Në seancën e sotme ishte planifikuar interpelancë me ministrin Nufi, për Ligjin “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake” dhe zhvillimet mbi industrinë e mbrojtjes.
Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin në Qeverinë e Shqipërisë, Erjona Ismaili, konfirmoi se ministri Nufi për shkak të një angazhimi zyrtar jashtë vendit nuk mund të jetë në seancë.
Kryeparlamentari Niko Peleshi njoftoi gjatë seancës se interpelanca do të shtyhet për në seancën e radhës parlamentare, ndërkohë seanca ka vazhduar me diskutimet në lidhje me disa projektligje.





















