| Albanian
RAJONI
4 minuta leximi
Para zgjedhjeve të 7 qershorit, qytetarët e Kosovës të ndarë mes ndryshimit dhe vazhdimësisë
Qytetarët theksuan nevojën për rotacion politik dhe qasje të re në qeverisje, ndërkohë të tjerë u shprehën në favor të vazhdimësisë.
Para zgjedhjeve të 7 qershorit, qytetarët e Kosovës të ndarë mes ndryshimit dhe vazhdimësisë
Para zgjedhjeve të 7 qershorit, qytetarët e Kosovës të ndarë mes ndryshimit dhe vazhdimësisë / AA

Kur kanë mbetur edhe 14 ditë nga dita e zgjedhjeve, qytetarët e Kosovës shprehin qëndrime të ndara në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit 2026, ku një pjesë kërkon ndryshim të qeverisjes, ndërsa të tjerë vlerësojnë se ekzekutivit aktual duhet t’i jepet edhe një mundësi për ta vazhduar mandatin.

Nga disa biseda të realizuar nga Anadolu me disa qytetarë në sheshet e Prishtinës, ata theksuan nevojën për rotacion politik dhe qasje të re në qeverisje, ndërkohë të tjerë u shprehën në favor të vazhdimësisë, duke argumentuar se qeveria aktuale duhet të ketë më shumë kohë për t'i realizuar prioritetet e saj.

"Për një vit të mbahen tri palë zgjedhje, kjo është çmenduri"

Qytetari Selim Rexhepi nga Prishtina thotë se do të dalë në votime me familjen më 7 qershor, pavarësisht se vitin e fundit janë mbajtur zgjedhje shpesh.

Ai thotë se çështja e presidentit të ri do të jetë përsëri sfidë, por mbetet të shihet se si do t’i bëhet zgjidhja.

"Në ish-Jugosllavi ka qenë një selektor i reprezentacionit të futbollit, Ciro Bllazeviq, atë e kritikonin shumë kur ai nuk bënte ndryshime në ekipe futbolli të cilave u printe. Përgjigjja e tij ishte: ekipi që fiton nuk ka nevojë të ndërrohet. Edhe unë them se Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin më shumë ka nevojë Kosova për ta se ata për Kosovën", thotë Rexhepi.

Qytetari Shaip Hajrizi thotë për Anadolu se në zgjedhjet e 7 qershorit duhet të dalë secili qytetar me të drejtë vote për të votuar, ngase më keq është që vendi të mbetet pa qeverisje se sa të humbet rreth 1 orë për procesin e votimit.

Ai mendon se këto zgjedhje do të ketë ndryshim në rezultate dhe ky rezultat do të sjell zhbllokim të situatës politike në vend.

"Prandaj, nuk është në rregull dhe mendoj se qytetari tani duhet ta ketë një motiv dhe arsye shumë më të madhe për të dalë në votime dhe ta bëjë ndryshimin. Opozita, cilado që është partia e dytë, me 25 apo 30 për qind, do ta bëjë qeverinë dhe duhet ta bëjë ashtu sikurse janë bërë që nga paslufta", thekson ai.

Hajrizi shton se për çështjen e presidentit të ri ku duhen 2/3-at e votave apo 80 nga 120 vota, duhet të gjendet një kompromis politik sepse ndryshe nuk ka kuptim që vendi t’i nënshtrohet zgjedhjeve çdo tre-katër muaj.

Edhe Feti Leci, banor i Prishtinës, thotë se gjithsesi se do të marrë pjesë në votime më 7 qershor dhe se këto zgjedhje do ta sjellin një ndryshim në situatën politike në vend.

"Për një vit të mbahen tri palë zgjedhje, kjo është çmenduri. E dyta, kjo qeveri që po shikon të rizgjidhet prapë, po bën manovrime me buxhetin e taksapaguesve duke ofruar pensionistëve dhe fëmijëve nga 100 euro. Kjo është çmenduri, por, do të presim që do të bëhet një zgjidhje më e mirë", thotë ai.

Fushata zgjedhore fillon më 28 maj

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026, vijnë në një kohë kur vendi po përballet me sfida të shumta politike dhe ekonomike, përfshirë zhvillimin ekonomik, integrimin evropian dhe procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Fushata zgjedhore e cila pritet të fillojë më 28 maj, pritet të karakterizohet nga përballja e partive që synojnë ndryshimin e pushtetit dhe atyre që kërkojnë vazhdimin e qeverisjes aktuale, ndërsa qytetarët mbeten të ndarë në pritjet e tyre për drejtimin e ardhshëm të vendit.

Në zgjedhjet e fundit më 28 dhjetor 2025, morën pjesë në zgjedhje rreth 900 mijë qytetarë apo rreth 45 për qind e personave me të drejtë vote. Edhe këtë herë ashtu sikurse në zgjedhjet e kaluara, pos mijëra vëzhguesve vendorë, zgjedhjet pritet të monitorohen edhe nga vëzhgues nga struktura të Bashkimit Evropian (BE).

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë