Moti i keq përfshin Gazën, përmbyten mijëra tenda të palestinezëve të zhvendosur
Stuhi të forta shiu dhe batica të larta kanë shkatërruar kampet e palestinezëve të zhvendosur në Khan Younis, në jug të Gazës, duke përkeqësuar krizën humanitare për mijëra persona të strehuar përgjatë bregdetit.
Kryebashkiaku i Khan Younisit, Alaaddin el-Batta, deklaroi se mijëra familje kanë humbur tendat e tyre si pasojë e motit të keq. “Këto familje po përpiqen të gjejnë strehim minimal”, tha ai, duke paralajmëruar se kushtet e vështira të motit pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, duke lënë të ekspozuar edhe mijëra persona të tjerë.
Që nga e shtuna, Gaza është përfshirë nga një sistem polar me presion të ulët, i shoqëruar me reshje të dendura shiu dhe erëra të forta.
Kushtet ekstreme të motit janë kthyer në një rrezik serioz për palestinezët e zhvendosur, të cilët jetojnë në tenda të vjetra ose në ndërtesa të dëmtuara rëndë, të ekspozuara nga bombardimet e përsëritura izraelite që nga tetori i vitit 2023.
Sipas të dhënave, më shumë se 71.200 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë dhe mbi 171.200 të tjerë janë plagosur që nga tetori i vitit 2023 në Rripin e Gazës, në një ofensivë që ka lënë enklavën në rrënoja.