Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka nënshkruar dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të Serbisë dhe ka shpallur zgjedhjet e parakohshme parlamentare për 25 tetor 2026, duke deklaruar se qytetarët do të vendosin në zgjedhje se në cilin drejtim do të vazhdojë vendi.
Duke iu drejtuar opinionit nga ndërtesa e Presidencës së Serbisë, Vuçiq tha se vendimin e mori me propozimin e arsyetuar të Qeverisë së Serbisë të 7 shtatorit, duke vlerësuar se zgjedhjet janë të nevojshme për shkak të tensioneve të zgjatura politike dhe ndarjeve në shoqëri.
"Prandaj, na duhen rezultate zgjedhore që do të përcaktojnë dhe tregojnë qartë vullnetin e qytetarëve se ku, në çfarë drejtimi dhe në cilën rrugë do të shkojë Serbia", tha Vuçiq.
Pavarësisht luftërave dhe krizave në pjesë të ndryshme të botës, tha ai, Serbia ka arritur të ruajë paqen dhe stabilitetin dhe ta vazhdojë zhvillimin ekonomik.
"Pavarësisht problemeve të shumta, nga lufta në Ukrainë deri te lufta në Iran, Serbia ka arritur ta menaxhojë ekonominë e saj në atë mënyrë që të jetë ekonomia me rritjen më të shpejtë në Evropë këtë vit", tha Vuçiq.
Sipas tij, Serbia gjatë një viti e gjysmë të fundit ka kaluar nëpër turbulenca të mëdha në skenën e brendshme politike. Ai vlerësoi se këto turbulenca nuk ishin vetëm pasojë e përplasjeve mes partive dhe aktorëve politikë vendas, por se kishte edhe ndërhyrje të konsiderueshme të fuqive të huaja.
"Kemi pasur trazira, çrregullime, përplasje dhe mbi të gjitha një shoqëri të ndarë", tha Vuçiq.
Zgjedhjet dhe "EXPO 2027"
Duke shpjeguar vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, Vuçiq theksoi në veçanti faktin se Serbia do të jetë nikoqire e ekspozitës ndërkombëtare "EXPO 2027", e cila do të hapet më 15 maj të vitit të ardhshëm. Ai shtoi se shtyrja e mëtejshme e zgjedhjeve mund t'i rrezikonte përgatitjet për këtë ngjarje.
Sipas tij, zgjedhjet parlamentare në këtë moment nuk do të ishin të nevojshme po të mos kishte tensione, mosmarrëveshje politike dhe përplasje.
Ai vlerësoi se tani ka kohë të mjaftueshme që vendi të përgatitet për EXPO-n dhe sfidat e tjera që e presin ndërsa qytetarët pas zgjedhjeve do të vendosin se kush do ta drejtojë Qeverinë e Serbisë në emër të tyre.
"Demokracia është forma më e mirë e regjimit politik, deri më tani nuk është shpikur ndonjë më e mirë dhe ne krenohemi me qasjen tonë demokratike dhe zgjedhjet tona demokratike", tha Vuçiq.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që në zgjedhje të zgjedhin mes opsioneve, planeve dhe programeve të ndryshme.
Në të njëjtën kohë, ai u bëri thirrje të gjithë pjesëmarrësve në procesin zgjedhor që fushata të zhvillohet pa dhunë dhe në një atmosferë respekti të ndërsjellë.
"Është e rëndësishme që të gjithë së bashku të tregojmë respekt ndaj njëri-tjetrit, është e rëndësishme të respektojmë mendimin e ndryshëm politik, të drejtën e tubimit të lirë dhe të shprehjes publike ndërsa në fund vendimi juaj është zëri i Zotit dhe vendimi i popullit duhet të respektohet", shtoi ai.
- Shpërndarja e Kuvendit dhe shpallja e zgjedhjeve
Gjatë fjalimit, Vuçiq lexoi edhe përmbajtjen e dekretit për shpërndarjen e Kuvendit Kombëtar, duke theksuar se vendimi është marrë në bazë të nenit 109 të Kushtetutës së Serbisë dhe me propozimin e arsyetuar të Qeverisë të 7 shtatorit të vitit 2026.
"Shpërndaj Kuvendin Kombëtar të Republikës së Serbisë, të zgjedhur më 17 dhjetor 2023", tha Vuçiq.
Dekreti hyn në fuqi në ditën e publikimit në "Gazetën Zyrtare" të Republikës së Serbisë.
Në të njëjtën kohë, ai nënshkroi vendimin për shpalljen e zgjedhjeve për deputetë për 25 tetor 2026.
Afatet për zbatimin e veprimeve zgjedhore fillojnë të rrjedhin nga dita e hyrjes në fuqi të vendimit për shpalljen e zgjedhjeve ndërsa zgjedhjet do të zhvillohen nga organet kompetente në përputhje me Ligjin për Zgjedhjen e Deputetëve.























