Kryeministri Kurti takon komisarin e lartë të OSBE-së për Minoritetet

Kryeministri Kurti theksoi se korniza ligjore e Kosovës është e ndërtuar mbi një model fuqizues, që mundëson pjesëmarrjen aktive të komuniteteve, por që kërkon edhe angazhim dhe pronësi lokale për shfrytëzimin e të drejtave të garantuara.

By
Kryeministri Kurti takon komisarin e lartë të OSBE-së për Minoritetet / AA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim komisarin e lartë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për Minoritetet, Christophe Kamp.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti gjatë takimit e falënderoi komisarin Kamp për letrën dhe rekomandimet e tij, duke theksuar se Qeveria e Kosovës pajtohet plotësisht me konstatimin e tij që përgjegjësia bie mbi serbët lokal të shfrytëzojnë të drejtat e garantuara në Kosovë.

Kryeministri Kurti theksoi se korniza ligjore e Kosovës është e ndërtuar mbi një model fuqizues, që mundëson pjesëmarrjen aktive të komuniteteve, por që kërkon edhe angazhim dhe pronësi lokale për shfrytëzimin e të drejtave të garantuara.

Gjatë takimit u diskutuan zhvillimet lidhur me zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe hapat e radhës drejt integrimit të plotë të shëndetësisë dhe arsimit në pjesën veriore të Kosovës, brenda kornizës ligjore të vendit.

Në fushën e të drejtave gjuhësore dhe të komuniteteve, Kurti informoi për hapat konkret të ndërmarrë nga Qeveria, përfshirë hapjen e pozitave të drejtorit të Departamentit për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit, si dhe atë të komisarit për gjuhët, si dhe angazhimin për rritjen e kapaciteteve për harmonizim gjuhësor.

Në përfundim, Kurti theksoi se faza e ardhshme nuk ka të bëjë me zgjerimin e të drejtave, por me thellimin e përdorimit të tyre përmes ndërtimit të besimit, angazhimit të komuniteteve dhe qasjes së plotë në institucione.

Takimi ndërmjet kryeministrit Kurti dhe komisarit Kamp zhvillohet në një periudhë të ndjeshme për Kosovën, kur çështja e integrimit të komuniteteve, veçanërisht në veri të vendit, mbetet një ndër sfidat kryesore institucionale dhe politike.