Komandanti i Komandës së Forcës së Bashkuar në Napoli, admirali George M. Wikoff po zhvillon vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërkohë është takuar me presidentin Bajram Begaj dhe ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi.
Në një reagim në rrjetet sociale, Begaj ka shkruar se në një situatë komplekse gjeopolitike, admirali Wikoff po drejton me vizion këtë Komandë, "e cila ka rol thelbësor për mbrojtjen, paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë".
"Shqipëria do të vazhdojë të jetë e përkushtuar ndaj partneritetit të fortë strategjik të ShBA-së dhe NATO-s. Prezenca amerikane në rajon është e domosdoshme", ka theksuar Begaj.
Në rrjetet sociale Nufi ka theksuar se me admiralin Wikoff theksuan bashkërisht "partneritetin e qëndrueshëm mes Shqipërisë dhe NATO-s në drejtim të mbrojtjes kolektive dhe vlerave të përbashkëta".
"Sigurova admiralin Wikoff se vendi ynë do të vazhdojë të mbetet i përkushtuar ndaj sigurisë euroatlantike, stabilitetit rajonal dhe paqes ndërkombëtare", është shprehur ministri Nufi.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë Komanda e Forcës së Përbashkët Aleate në Napoli është një nga tre Komandat e Forcës së Përbashkët në strukturën komanduese të NATO-s.
Misioni i kësaj Komande është të përgatitet, të planifikojë dhe të kryejë operacione ushtarake me qëllim ruajtjen e paqes, sigurisë dhe integritetit territorial të shteteve anëtare të Aleancës në të gjithë zonën e përgjegjësisë së SACEUR (Supreme Allied Commander Europe) dhe përtej saj.






















