Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, pas takimit me krerë të institucioneve të larta në Prishtinë ka deklaruar se Bashkimi Evropian (BE) mund ta mbështes Kosovën, por nuk mund t’ia kryej asaj detyrat e veta.
Costa, i cili u takua sot me ushtruesen e detyrës së presidentes Albulena Haxhiun dhe me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, e lavdëroi Kosovën për harmonizimin vullnetar të politikës së jashtme të saj me atë të BE-së, duke theksuar se ky është sinjal i qartë i orientimit strategjik të Kosovës.
Në konferencën për media në Prishtinë pas takimeve me Haxhiun dhe Kurtin, Costa u përcolli mesazh të qartë liderëve politikë.
“Derisa Kosova mban zgjedhjet këtë fundjavë, mesazhi im për të gjithë liderët politikë që i takova sot ishte i thjeshtë, partneritetit vjen me përgjegjësi. BE-ja mund ta mbështesë Kosovën, por nuk mund t’ia kryejë Kosovës detyrat e veta. Kosovës i duhen institucione të forta, stabile dhe funksionale të afta për të kryer reforma dhe t’i shfrytëzojë mundësitë që BE-ja i ofron”, tha Costa.
Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, presidenti Costa tha se normalizimi i marrëdhënieve është thelbësor për rrugën evropiane si të Kosovës ashtu edhe Serbisë derisa shtoi se marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit duhet të zbatohen plotësisht.
I pyetur për pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, Costa tha se duhet shkuar “hap pas hapi”.
Ai po ashtu shtoi se Samiti i liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Tivat të Malit të Zi të premten do të jetë moment i rëndësishëm.






















