| Albanian
POLITIKË
4 minuta leximi
Rubio: Ka njëfarë progresi me Iranin, tarifimi në Hormuz i “panegociueshëm”
Sekretari amerikan i Shtetit tha gjithashtu se Uashingtoni mbetet i gatshëm të ndihmojë në lehtësimin e bisedimeve Rusi-Ukrainë nëse kushtet ndryshojnë.
Rubio: Ka njëfarë progresi me Iranin, tarifimi në Hormuz i “panegociueshëm”
Rubio: Ka njëfarë progresi me Iranin, tarifimi në Hormuz i “panegociueshëm”

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha të premten se është shënuar “njëfarë përparimi” në lidhje me situatën që përfshin Iranin dhe Ngushticën e Hormuzit.

“Ka pasur njëfarë përparimi. Nuk dua ta ekzagjeroj, por ka pasur një lëvizje të vogël dhe kjo është pozitive”, u tha Rubio gazetarëve përpara takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s, në prani të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Rubio tha se “parimet themelore mbeten të pandryshuara”, duke shtuar: “Irani nuk mund të ketë kurrë armë bërthamore, thjesht nuk mund t’i prodhojë ato”.

Ai tha se Uashingtoni është në pritje të rezultateve të diskutimeve në vazhdim lidhur me Iranin, duke theksuar se çështjet që lidhen me pasurimin e uraniumit dhe rezervat iraniane të uraniumit të pasuruar në nivele të larta duhet të trajtohen.

Rubio gjithashtu akuzoi Iranin se po përpiqet të krijojë një “sistem tarifimi” në Ngushticën e Hormuzit, duke thënë se Teherani po përpiqet të bindë Omanin që t’i bashkohet kësaj nisme.

“Nuk ka asnjë vend në botë që duhet ta pranojë këtë”, tha ai, duke e cilësuar idenë si “të papranueshme”.

“Nëse kjo ndodh në Ngushticën e Hormuzit, do të ndodhë edhe në pesë vende të tjera të botës”, shtoi Rubio.

Diplomati i lartë amerikan tha se Uashingtoni po punon në OKB për një rezolutë të sponsorizuar nga Bahreini lidhur me këtë çështje, duke pretenduar se ajo ka siguruar mbështetje të gjerë ndërkombëtare.

“Të shohim nëse Kombet e Bashkuara ende funksionojnë”, tha Rubio, duke kritikuar anëtarë të paidentifikuar të Këshillit të Sigurimit që, sipas tij, po shqyrtojnë mundësinë e vendosjes së vetos ndaj rezolutës.

'Duhet të kemi edhe një plan B'

Nga ana e tij, Rutte tha se takimi i NATO-s do të fokusohet te shpenzimet për mbrojtjen, Ukraina dhe liria e lundrimit, mes shqetësimeve në rritje për Iranin dhe Ngushticën e Hormuzit.

“Po dëgjoj nga shumë kolegë këtu se është e papranueshme që liria e lundrimit të shkelet në mënyrën si po ndodh aktualisht”, tha Rutte.

Ai gjithashtu falënderoi ShBA-në për vazhdimin e mbështetjes ushtarake për Ukrainën, veçanërisht për furnizimin me sisteme interceptuese të financuara nga aleatët evropianë dhe Kanadaja.

Rubio tha gjithashtu se samiti i ardhshëm i liderëve të NATO-s në Ankara do të jetë “një nga samitet më të rëndësishme të liderëve në historinë e NATO-s”, duke e përmendur prodhimin industrial në fushën e mbrojtjes, ndarjen e barrës dhe sfidat globale të sigurisë si prioritete të aleancës.

Më vonë, duke folur me gazetarët në margjinat e samitit, Rubio tha se ShBA-ja do të dëshironte të arrinte një marrëveshje me Iranin, “në të cilën ngushtica të jetë e hapur dhe ata të heqin dorë nga ambiciet e tyre bërthamore”.

“Por, duhet të kemi edhe një plan B. Çfarë ndodh nëse Irani refuzon të hapë ngushticën? Në atë pikë, duhet bërë diçka”, tha ai.

Lidhur me raportimet se Katari ka dërguar një ekip në Teheran për negociata, Rubio tha se ndërmjetësi kryesor është Pakistani, i cili ka bërë një “punë të admirueshme”.

“Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me (shefin e ushtrisë pakistaneze) feldmarshallin Asim Munir në nivelet më të larta të qeverisë sonë”, shtoi ai.

Munir u nis për në Teheran të premten për të diskutuar bisedimet Iran-ShBA, thanë burime pakistaneze të sigurisë për Anadolu. Gjatë vizitës, ai do të takohet me figura të larta iraniane, shtuan burimet.

Kjo do të jetë vizita e dytë e tillë e Munirit në Teheran në kuadër të përpjekjeve ndërmjetësuese të Pakistanit për t’i dhënë fund luftës, e cila nisi më 28 shkurt kur Izraeli dhe ShBA-ja ndërmorën sulme ushtarake ndaj Teheranit.

Rubio tha se është shënuar njëfarë përparimi me Iranin.

“Ka pasur njëfarë përparimi. Nuk do ta ekzagjeroja. Por, as nuk do ta minimizoja”, tha Rubio.

“Ka ende punë për t’u bërë. Ende nuk kemi arritur atje. Shpresoj që do të arrijmë”.

Sekretari amerikan i Shtetit foli gjithashtu mbi situatën Rusi-Ukrainë, ku u shpreh se negociatat e paqes për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë aktualisht nuk po zhvillohen, megjithëse Uashingtoni mbetet i gatshëm të ndihmojë në lehtësimin e bisedimeve nëse kushtet ndryshojnë.

Rubio tha se ShBA-ja u përfshi drejtpërdrejt në përpjekjet diplomatike sepse si Moska, ashtu edhe Kievi e shihnin Uashingtonin si “të vetmin” ndërmjetës.

Ai theksoi se, ndonëse negociatat janë bllokuar, administrata Trump mbetet e hapur për të rifilluar rolin ndërmjetësues nëse krijohet mundësi për përparim domethënës.

Kryediplomati amerikan u shpreh gjithashtu siguroi se mbështetja e ShBA-së për Ukrainën mbetet e pandryshuar.

Në të njëjtën kohë, Rubio shprehu zhgënjim me përpjekjet e mëparshme diplomatike që nuk dhanë rezultate konkrete, duke thënë se administrata do të shmangë pjesëmarrjen në negociata që mbeten vetëm takime simbolike.

“Nuk po shiheshin shumë përparime, por ndoshta dinamika do të ndryshojë”, tha Rubio, duke shtuar: “Ne jemi të gatshëm të luajmë çdo rol konstruktiv që mundemi”.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë