Policia e Kosovës në një operacion të realizuar në veri të vendit ka gjetur arme dhe mjete tjera ilegale në një shtëpi të pabanuar në fshatin Lucka Reka të Komunës së Zubin Potokut.
Policia njofton se këtë operacion të cilin e vlerësoi të suksesshëm e realizoi pas informacioneve të cilat i pranoi nga qytetarët.
“Menjëherë pas pranimit të informacionit, njësitë policore kanë ndërmarrë veprime të shpejta dhe profesionale, duke kryer kontroll në lokacionin e dyshuar”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar: një armë e gjatë gjysmë automatike; 392 fishekë të kalibrit 7.62 mm; 123 fishekë kalibër 7.9 mm; 15 fishekë të pushkës se gjuetisë; 11 fishekë të pushkës së gjatë; 3 fishekë manovrues; 18 të armës së shkurtë, 2 fishekë të armës së gjatë, 6 gëzhoja të llojeve të ndryshme dhe 1 bajonetë.
Policia njofton se të gjitha veprimet e ndërmarra i janë paraqitur Prokurorit të Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Në lidhje me këtë rast, deri në këto momente nuk ka persona të arrestuar, ndërsa rasti vazhdon të hetohet nga njësitet kompetente.























