Antalya nikoqire e Forumit të 8-të të Etnosporteve, në fokus rijetësimi i sporteve tradicionale
Organizatorët theksojnë se qëllimi është forcimi i bashkëpunimit global mbi parimet e traditës, respektit, solidaritetit dhe paqes.
Konfederata Botërore e Etnosporteve nga 3 deri më 5 prill do të organizojë në Antalya Forumin e 8-të të Etnosporteve me qëllim formësimin e së ardhmes së sporteve tradicionale dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Në forum do të diskutohen tema strategjike të përqendruara në qëndrueshmërinë e etnosporteve. Organizatorët theksojnë se qëllimi është forcimi i bashkëpunimit global mbi parimet e traditës, respektit, solidaritetit dhe paqes.
Që nga themelimi i saj, konfederata zhvillon aktivitete për ruajtjen e sporteve dhe lojërave tradicionale, forcimin e ndërveprimit ndërkulturor dhe rritjen e njohjes së tyre. Gjatë forumit do të shqyrtohen strategji afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata për zhvillimin e kësaj fushe.
“Ringjallja e sporteve tradicionale” në fokus
Në kuadër të paneleve që do të mbahen gjatë forumit, akademikë, përfaqësues të federatave sportive dhe studiues do të diskutojnë mbi mundësitë e bashkëpunimit ndërkombëtar, qëndrueshmërinë financiare dhe strategjitë mediatike.
Në rend dite do të jenë edhe propozimet për promovimin më të gjerë të çmimeve për sportet dhe lojërat tradicionale.
Një nga temat kryesore do të jetë edhe organizimi i “Etnosporteve 2027”, i planifikuar ndërkombëtarisht si një ngjarje multisportive.
Vizioni, objektivat, struktura organizative, strategjitë e pjesëmarrjes ndërkombëtare, modelet e sponsorizimit dhe qëndrueshmërisë financiare, si dhe planifikimi mediatik i këtij projekti do të analizohen nga ekspertët.
Pritet pjesëmarrje nga 29 vende
Në Forumin e 8-të të Etnosporteve pritet pjesëmarrja e përfaqësuesve të 50 anëtarëve institucionalë nga 29 vende që veprojnë në kuadër të konfederatës, si dhe zyrtarëve shtetërorë, përfaqësuesve të federatave, akademikëve dhe studiuesve.
Në hapjen e forumit do të mbajë fjalim presidenti i Konfederatës Botërore të Etnosporteve, Necmeddin Bilal Erdogan, pas së cilës programi do të nisë zyrtarisht me një panel ministror ku do të marrin pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë.
Sesionet dyditore, panelet dhe diskutimet strategjike synojnë që Forumi i 8-të i Etnosporteve të ofrojë udhëzime për të ardhmen e sporteve tradicionale dhe të shërbejë si një pikënisje e fortë për procesin “Etnosportet 2027”.