| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Misioni i OKB-së në Somali do t’i përfundojë operacionet më 31 tetor, pas dekadash mbështetjeje
Dujarric tha se misioni do t’i ndërpresë operacionet në përputhje me rezolutat e Këshillit të Sigurimit dhe një kërkesë të qeverisë federale të Somalisë.
Misioni i OKB-së në Somali do t’i përfundojë operacionet më 31 tetor, pas dekadash mbështetjeje
Misioni i OKB-së në Somali do t’i përfundojë operacionet më 31 tetor, pas dekadash mbështetjeje/ AA

 Një zyrtar i OKB-së ka njoftuar se Misioni i Asistencës Tranzitore të OKB-së në Somali (UNTMIS) do ta përfundojë mandatin më 31 tetor, duke i dhënë fund një periudhe tranzicioni dyvjeçare dhe më shumë se tri dekadave të misioneve të OKB-së në mbështetje të ndërtimit të paqes, qeverisjes dhe shtetit në vend, transmeton Anadolu.

Stephane Dujarric, zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, tha se misioni do t’i ndërpresë operacionet në përputhje me rezolutat e Këshillit të Sigurimit dhe një kërkesë të qeverisë federale të Somalisë.

“Ky moment shënon përfundimin e më shumë se tri dekadave të misioneve të Kombeve të Bashkuara në mbështetje të ndërtimit të paqes, shtetit, qeverisjes dhe pajtimit në Somali”, tha Dujarric.

Mbyllja vjen pas një udhërrëfyesi tranzicioni të dakorduar bashkërisht, sipas të cilit përgjegjësitë e përcaktuara në mandatin e UNTMIS-it u janë transferuar institucioneve somaleze dhe agjencive, fondeve dhe programeve të OKB-së.

Guterres rikonfirmoi se OKB-ja do të vazhdojë ta mbështesë Somalinë përmes agjencive dhe programeve të saj rezidente, duke punuar me autoritetet somaleze, Bashkimin Afrikan dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë për të promovuar paqen, stabilitetin, të drejtat e njeriut dhe zhvillimin e qëndrueshëm, tha Dujarric.

“Duke njohur sfidat e rëndësishme politike, të sigurisë, humanitare dhe zhvillimore që vazhdojnë të mbeten, sekretari i përgjithshëm bën thirrje për mbështetje të vazhdueshme ndërkombëtare për të konsoliduar përparimin, për ta avancuar dialogun politik gjithëpërfshirës dhe pajtimin, për të forcuar institucionet dhe për t'i promovuar e mbrojtur të drejtat e njeriut”, shtoi ai.

Dujarric theksoi se Guterres rikonfirmoi angazhimin e OKB-së ndaj popullit të Somalisë dhe mbështetjen për përpjekjet e udhëhequra nga vetë somalezët për të ndërtuar një të ardhme paqësore, të qëndrueshme dhe të begatë.