Rousopoulos: Mbështesim Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian

"Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës mbështet dhe do të vazhdojë ta mbështesë Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian", tha presidenti i AP të KE-së, Theodoros Rousopoulos.

Rousopoulos: Mbështesim Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian / AA

Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos, po zhvillon një vizitë në Maqedoninë e Veriut.

Ai, në kuadër të vizitë së tij në vend, mbajti një fjalim para deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

"Progresi juaj është domethënës dhe i jashtëzakonshëm. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës mbështet dhe do të vazhdojë ta mbështesë Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian", tha ai.

Rousopoulos tha se gjatë 30 viteve të fundit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, Maqedonia e Veriut ka treguar se pjekuria morale nuk matet nga madhësia, por nga aftësia për të dëgjuar, për të respektuar dhe për të pranuar.

Ai theksoi se 75 vjet pas nënshkrimit të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe 30 vjet pasi Maqedonia e Veriut iu bashkua Këshillit të Evropës, historia e Evropës vazhdon.

Duke iu referuar zhvillimeve gjeopolitike, Rousopoulos tha se demokracia po e humbet gravitetin e saj emocional dhe shtoi se demokracia duhet të gjallërohet. Sipas tij, Këshilli i Evropës mbetet vendi për dialog.

Në kuadër të vizitës së tij në vend, Rousopoulos u takua edhe me kryeparlamentarin e Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.