Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha ka deklaruar se në themel të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) qëndron merita.
Në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë është mbajtur seanca dëgjimore me ministrin Hoxha mbi procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Ministri Hoxha ka theksuar se procesi i anëtarësimit në BE është konkret, i prekshëm dhe rezultativ.
"Procesi i negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian është një proces kompleks, në fakt, më kompleksi në të cilin kemi marrë pjesë ndonjëherë, por njëkohësisht edhe proces i mirëstrukturuar dhe shumëdimensional. Në themel të procesit të anëtarësimit në BE qëndron merita. Në këtë kuptim, procesi mbështetet në analizën e arritjeve, në rezultate të qëndrueshme dhe të verifikueshme, ose, siç e përmendim shpesh, në zbatimin konkret të reformave", është shprehur Hoxha.
Kryediplomati i Shqipërisë theksoi se puna dhe ndërveprimi me BE-në vetëm ka ardhur duke u rritur, shtuar dhe zgjeruar.
"Kjo ecuri e paprecedent është dëshmi e puqjes së dy faktorëve kryesorë që e bënë të mundur: e para, është tregues i aftësisë, përgatitjes, energjisë dhe vendosmërisë së qeverisë shqiptare dhe ekipit negociator; dhe nga ana tjetër e besimit dhe mbështetjes së procesit të avancimit të Shqipërisë nga institucionet evropiane dhe vendet anëtare", tha Hoxha.
Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian që nga viti 2014 dhe synon të përfundojë negociatat deri në vitin 2027, ndërkohë synon anëtarësimin e plotë në BE deri në vitin 2030.



















