Putin vlerëson përpjekjet e ShBA-së për zgjidhjen e çështjes ukrainase
Presidenti rus thotë se plani 28-pikësh i Trumpit po diskutohet tani në formën e 4 pakove të ndara.
Duke vlerësuar përpjekjet e ShBA-së për zgjidhjen e konfliktit ukrainas, presidenti rus, Vladimir Putin, e përshkroi takimin e 2 dhjetorit me negociatorët amerikanë Steven Witkoff dhe Jared Kushner si “të nevojshëm dhe të dobishëm”.
Në një intervistë për kanalin India Today TV, Putin tha se takimi pesëorësh ishte i nevojshëm për të diskutuar secilën pikë të propozimeve të paqes të presidentit amerikan Donald Trump.
Sipas tij, plani bazohet në marrëveshjet nga samiti Rusi-ShBA në Alaskë në gusht.
“Ajo që sollën kolegët tanë amerikanë ishte bazuar, në një mënyrë apo tjetër, te marrëveshjet që arritëm gjatë takimit tim me presidentin Trump në Alaskë; i diskutuam këto çështje në takimin e Anchorage”, tha Putin.
Ai vlerësoi se Trump po kërkon konsensus për Ukrainën, “por kjo është një detyrë e vështirë”.
Putin deklaroi se ai ishte dakord me disa pika të planit të Trumpit dhe nuk ishte dakord me të tjera, duke e përshkruar procesin si “një punë komplekse”.
I pyetur nëse plani me 28 pika mbetet i vlefshëm, Putin u përgjigj: “Saktësisht këto pika po diskutohen”.
“Thjesht, ata i ndanë këto 28, mendoj 27 pika, në katër pako. Dhe propozuan që t’i diskutojmë këto katër pako. Por, në thelb, këto janë të njëjtat pika”, shpjegoi ai.
Duke komentuar pozicionin e BE-së, Putin tha se evropianët duhet të përfshihen në procesin e zgjidhjes, e jo ta pengojnë atë.
Ai kujtoi gjithashtu se në fillim të konfliktit, Moska kishte propozuar që Kievi të tërhiqte forcat ukrainase nga Donbasi për të shmangur përplasjen ushtarake, por Ukraina zgjodhi të kundërtën.
Ai argumentoi se “Rusia do ta çlirojë Donbasin dhe Novorosinë ose me mjete ushtarake ose ndryshe”.
“Gjithçka shkon në këtë drejtim. Ose ne do t’i çlirojmë këto territore me mjete ushtarake, ose trupat ukrainase do të largohen nga këto territore dhe do të ndalojnë luftimet atje”, tha ai.