Përmbytje të mëdha në Meksikën qendrore, të paktën 42 të vdekur dhe 27 të zhdukur

Shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan përmbytje fatale në pesë shtete meksikane, duke lënë mijëra njerëz pa shtëpi dhe pa energji elektrike.

Përmbytje të mëdha në Meksikën qendrore, të paktën 42 të vdekur dhe 27 të zhdukur / Reuters

Të paktën 42 persona kanë humbur jetën dhe 27 të tjerë mbeten të zhdukur pasi shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan përmbytje të mëdha në disa rajone të Meksikës.

Koordinimi Kombëtar i Mbrojtjes Civile (CNPC) i Meksikës tha se reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje shkatërruese në shtetet Veracruz, Puebla, Hidalgo, Queretaro dhe San Luis Potosi.

Sipas vlerësimeve fillestare, të paktën 42 persona humbën jetën në përmbytje, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë të punojnë intensivisht për t'i gjetur 27 personat e zhdukur.

Presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum, zhvilloi një takim virtual me guvernatorët e pesë shteteve më të prekura për t'i koordinuar përpjekjet e reagimit ndaj emergjencave.

“Asnjë nga viktimat nuk do të mbetet pa ndihmë. Ekipet dhe zyrtarët e qeverisë federale janë vendosur për t'i rihapur rrugët dhe për të shpërndarë ndihmë për publikun”, tha Sheinbaum pas takimit.

Sipas mediave meksikane, mijëra njerëz kanë mbetur pa energji elektrike në atë që përshkruhet si një nga fatkeqësitë më të rënda të përmbytjeve në vend në vitet e fundit.

Autoritetet kanë shprehur frikë se situata mund të përkeqësohet më tej për shkak të rrëshqitjeve të dheut në shpatet e maleve dhe lumenjve që kanë dalë nga shtrati, të cilat tashmë e kanë përkeqësuar shkatërrimin.

Reshjet e dendura të shiut vazhdojnë në shumë zona të prekura, ku autostradat, rrugët dhe shtëpitë mbeten të zhytura nën ujërat e përmbytjeve.