| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Mbetet në fuqi pezullimi nga detyra i zv.kryeministres Belinda Balluku
Sipas argumentimit të Gjykatës Kushtetuese, vendimi për pezullimin në detyrë të zv/kryeministres, njëkohësisht dhe ministres së Energjisë dhe të Infrastrukturës mbetet në fuqi, duke e rrëzuar kështu ankimimin e Edi Ramës.
Mbetet në fuqi pezullimi nga detyra i zv.kryeministres Belinda Balluku
Kushtetuesja jep vendimin përfundimtar për Ballukun, lë në fuqi pezullimin nga detyra / Belinda Balluku | FB
2 orë më parë

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës për pezullimin ndaj zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë, Belinda Balluku.

Në njoftimin e publikuar nga Gjykata Kushtetuese thuhet se është marrë vendimi për rrëzimin e ankimimit të kryeministrit të Shqipërisë mbi çështjen në fjalë.

"Në lidhje me objektin e kërkesës, në përfundim të diskutimeve, vlerësimet e gjyqtarëve u ndanë në dy qëndrime dhe Gjykata nuk arriti numrin e kërkuar të votave për vendimmarrje. 

Gjykata Kushtetuese vendos rrëzimin e kërkesës, heqjen e masës së pezullimit të caktuar me vendimin e mbledhjes së gjyqtarëve të datës 12.12.2025. Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare", thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese

Qeveria e Shqipërisë kishte kërkuar shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GjKKO) të nëntorit 2025 për masën e pezullimit të ushtrimit të detyrës së Ballukut.

Gjithashtu Qeveria kishte kërkuar edhe zgjidhjen e "mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe GjKKO-së.

Sipas Këshillit të Ministrave të Shqipërisë vendimi i pezullimit është "një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave".

Çështja ndaj Ballukut

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GjKKO) vendosi më 19 nëntor 2025 të pezullojë nga detyra zv.kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe të Energjisë, Belinda Balluku, dhe gjithashtu ka vendosur ndaj saj edhe masën "ndalim të daljes jashtë shtetit”.

Sipas autoriteteve ajo akuzohet për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Çështja u dërgua nga Qeveria e Shqipërisë në Gjykatën Kushtetuese, e cila kundërshton pezullimin.

Më 12 dhjetor, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë vendosi pezullimin e vendimit të GjKKO-së.

Më 16 dhjetor, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) konfirmoi se i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë heqjen e imunitetit të Ballukut e cila është edhe deputete, "për arrestimin/heqjen e lirisë" ndaj saj.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë