| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
ShBA-ja: Dialogu Strategjik me Kosovën mund të zhvillohet kur të krijohen kushtet e duhura
Një zëdhënës i Ambasadës amerikane ka rikujtuar se ky dialog është pezulluar për një kohë të pacaktuar në shtator të vitit 2025.
ShBA-ja: Dialogu Strategjik me Kosovën mund të zhvillohet kur të krijohen kushtet e duhura
ShBA-ja: Dialogu Strategjik me Kosovën mund të zhvillohet kur të krijohen kushtet e duhura / ATA

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Prishtinë ka deklaruar se zhvillimi i Dialogut Strategjik ShBA–Kosovë varet nga krijimi i kushteve të përshtatshme, përfshirë përmbushjen e zotimeve të Kosovës ndaj serbëve të Kosovës.

Në një përgjigje për televizionin publik në Kosovë, një zëdhënës i Ambasadës amerikane ka rikujtuar se ky dialog është pezulluar për një kohë të pacaktuar në shtator të vitit 2025.

“Shtetet e Bashkuara e pezulluan për një kohë të pacaktuar Dialogun Strategjik ShBA–Kosovë në shtator të vitit 2025, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet që kishte ndërmarrë qeveria e atëhershme në detyrë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës amerikane.

Megjithatë, ShBA-ja ka theksuar se mbetet e përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta me Kosovën.

“Ne mbetemi të përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës”, thuhet më tej në përgjigje.

Sa i përket mundësisë së fillimit të dialogut të planifikuar, Ambasada amerikane ka bërë të ditur se ai mund të zhvillohet kur të krijohen kushtet e duhura, duke i përmendur në mënyrë të veçantë zotimet e Kosovës ndaj komunitetit serb.

“Presim që Dialogu Strategjik të zhvillohet me Kosovën kur të krijohen kushtet e duhura, përfshirë përmbushjen nga ana e Kosovës të zotimeve të saj në raport me serbët e Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Ditë më parë, presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula në takim me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, ka diskutuar për forcimin e partneritetit strategjik me ShBA-në, ku kërkoi edhe rikthimin e Dialogut Strategjik dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Shiroka Pula konsideroi se Dialogu Strategjik me ShBA-në është instrument thelbësor për thellimin e partneritetit strategjik dhe për avancimin e prioriteteve të përbashkëta.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë