Komandanti i KFOR-it, Ulutas, priti në takim emisarin e BE-së për dialogun, Sorensen
Ulutas ka vlerësuar se procesi dialogut është thelbësor për sigurinë afatgjatë në Kosovë dhe për stabilitetin rajonal, në dobi të të gjitha komuniteteve.
Komandanti i Misionit të udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë - KFOR, gjeneralmajor Ozkan Ulutas, ka pritur sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) për Dialogun Beograd–Prishtinë, Peter Sorensen, në selinë e KFOR-it në Kampin “Film City” në Prishtinë.
Gjatë takimit, gjeneralmajori Ulutas ka theksuar bashkëpunimin e vazhdueshëm të KFOR-it me misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), si dhe mbështetjen ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ulutas ka vlerësuar se procesi dialogut është thelbësor për sigurinë afatgjatë në Kosovë dhe për stabilitetin rajonal, në dobi të të gjitha komuniteteve.
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) të vitit 1999, për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe për ta garantuar lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), përkatësisht, me të cilët punon në koordinim të ngushtë.