Nga 18 vatra të raportuara gjatë 12 orëve të fundit, pesë janë ende aktive në Shqipëri.
Ndërkaq, tri zona po mbahen nën vëzhgim.
“Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 298 forca operacionale dhe 32 automjete zjarrfikëse. Atyre u janë bashkuar 133 efektivë të Forcave të Armatosura me 10 mjete, si dhe katër helikopterë të Forcës Ajrore”, njoftoi Agjencia për Media dhe Informim.
Vatrat në Mallakastër, Patos, Kurbin, Kavajë dhe Klos janë shuar plotësisht, ndërsa autoritetet vijojnë monitorimin për të parandaluar riaktivizimin e tyre.
Situata mbetet më problematike në Krujë, ku operacionet vazhdojnë në Abazaj dhe Krastë–Halil. Forca të shumta po ndërhyjnë nga toka, ndërsa tre helikopterë po veprojnë nga ajri, me përparësi mbrojtjen e banesave.
Ndërhyrjet vijojnë edhe në Priskë të Madhe, Nemëçkë dhe Goraj–Budishë. Sipas autoriteteve, flakët nuk paraqesin aktualisht rrezik për zonat e banuara.
Strukturat e mbrojtjes civile mbeten në terren dhe do të vijojnë operacionet deri në shuarjen e plotë të vatrave.






















