Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha ka deklaruar se për Shqipërinë, qëndrueshmëria demokratike dhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian (BE) janë të pandashme.
Ministri Hoxha ka marrë pjesë në një takim në Luksemburg në kuadër të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, ku sipas tij, u vendos për asociimin formal të Shqipërisë, së bashku me partnerët e tjerë të Ballkanit Perëndimor dhe vendet kandidate për anëtarësim, në Qendrën Evropiane për Qendrueshmërisë Demokratike.
Në një reagim në rrjetet sociale, Hoxha tha se Shqipëria ka krijuar një përvojë të vlefshme në përballimin e sulmeve kibernetike dhe forcimin e qëndrueshmërisë institucionale, duke shtuar se janë të gatshëm ta zhvillojmë më tej këtë ekspertizë dhe ta vendosin atë në shërbim të përpjekjeve të përbashkëta me partnerët evropianë.
"Njëkohësisht, po përballemi gjithnjë e më shumë me manipulimin dhe ndërhyrjen e huaj në hapësirën informative (FIMI), një sfidë që ka dëshmuar të jetë edhe më komplekse, por edhe më sfiduese. Pasi ajo nuk synon të prekë vetëm sistemet, por edhe besimin; jo vetëm institucionet, por vetë themelet dhe strukturën e debatit demokratik. Theksova gjithashtu nevojën për një qasje më të fuqishme dhe më të koordinuar në komunikimin publik", është shprehur Hoxha.
Kryediplomati i Shqipërisë ka theksuar se një përgjigje që përfshin të gjithë shoqërinë mund të ketë sukses vetëm kur vetë shoqëria është e informuar, e ndërgjegjësuar dhe e angazhuar.
"Kur qytetarët në mbarë Evropën shohin shtetet anëtare dhe vendet kandidate të punojnë krah për krah për të mbrojtur qëndrueshmërinë demokratike, ata e kuptojnë zgjerimin për atë që është në të vërtetë: një investim i përbashkët në të ardhmen tonë të përbashkët. Për Shqipërinë, qëndrueshmëria demokratike dhe anëtarësimi në BE janë të pandashme", tha ai.
Ministri Hoxha ka shtuar se vendimi i sotëm është një tjetër shprehje konkrete e integrimit gradual në praktikë: "sfida të përbashkëta, përgjigje të përbashkëta, përgjegjësi e përbashkët dhe kontribut i përbashkët për një Evropë më të fortë dhe më të qëndrueshme".



























