Kryediplomati i Shqipërisë në takim me studentët: Koha e Shqipërisë është tani

“Nëse shpesh thuhet se Evropa do të zgjerohet kur të vijë koha e duhur, për ne kjo kohë është tani. Nuk ka arsye për vonesa”, u shpreh Ministri Hoxha.

By
Kryediplomati i Shqipërisë në takim me studentët: Koha e Shqipërisë është tani / ATA

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, zhvilloi një bashkëbisedim me studentë të Akademisë Diplomatike të Vjenës, në ambientet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Në qendër të diskutimeve ishte rrugëtimi evropian i Shqipërisë, përfshirë progresin e arritur në reformat kyçe, ecurinë e procesit të negociatave për anëtarësim dhe angazhimin e vazhdueshëm për të prodhuar rezultate konkrete në funksion të integrimit në Bashkimin Evropian.

Ministri Hoxha theksoi se orientimi evropian i Shqipërisë ka qenë i qartë dhe i pandryshueshëm që prej fillimit të këtij procesi “një rilidhje e plotë dhe pa kushte me hapësirën natyrore të përkatësisë sonë – Evropën”.

“Për ne nuk ka asgjë më gjithëpërfshirëse dhe më jetike sesa procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në Evropë ka ndodhur një ndryshim i rëndësishëm: zgjerimi është rikthyer në qendër të vëmendjes. Sot, kushdo që flet për zgjerimin e konsideron atë një investim strategjik për të ardhmen e Evropës. Evropa është një histori zgjerimi, një histori rritjeje. Dhe nëse shpesh thuhet se Evropa do të zgjerohet kur të vijë koha e duhur, për ne kjo kohë është tani. Nuk ka arsye për vonesa”, u shpreh Ministri Hoxha.

Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit dhe të përgjegjësisë së përbashkët për të çuar përpara perspektivën evropiane të vendit, duke vlerësuar njëkohësisht rolin e brezit të ri të diplomatëve në formësimin e së ardhmes së Evropës dhe të rajonit.