| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Zyrtari ukrainas: Të dërguarit e ShBA-së sjellin propozime "më efektive" për paqen në Kiev
Steve Witkoff dhe Jared Kushner shprehin inkurajim pas bisedimeve në Kiev, ndërsa Uashingtoni kërkon të ringjallë përpjekjet e tij për t'i dhënë fund konfliktit.
Zyrtari ukrainas: Të dërguarit e ShBA-së sjellin propozime "më efektive" për paqen në Kiev
Zyrtari ukrainas: Të dërguarit e ShBA-së sjellin propozime "më efektive" për paqen në Kiev. / AFP

Të dërguarit e Uashingtonit kanë sjellë në Kiev propozime të reja dhe "më efektive" për përfundimin e luftës me Rusinë, deklaroi për AFP-në një zyrtar i lartë i presidencës ukrainase.

Visita e Steve Witkoff dhe Jared Kushner shënoi udhëtimin e tyre të parë në kryeqytetin ukrainas, një ditë pas tri orësh negociatash me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë.

"Nuk është njësoj si më parë. Kjo tashmë është më efektive. Akoma po vazhdojnë të flasin. Kjo është faktikisht pjesa më e rëndësishme”, tha zyrtari i lartë ukrainas.

Përderisa si Presidenti Volodymyr Zelenskyy ashtu edhe delegacioni amerikan dhanë vlerësime optimiste, asnjëra palë nuk njoftoi ndonjë përparim të menjëhershëm.

"Shpresojmë shumë se do të kemi mundësi të arrijmë marrëveshje me partnerët tanë amerikanë dhe llogarisim në mbështetjen e partnerëve tanë evropianë nëse lufta vazhdon në dimër, dhe kështu duket në këtë moment”, tha Zelenskyy.

Zelenskyy konfirmoi konsultimet e ardhshme me ShBA-në, Francën dhe Gjermaninë, përfaqësuesit e të cilave iu bashkuan një seance të veçantë në Kiev, duke shtuar: "Këtu jemi të gjithë në të njëjtën anë".

Ai përsëriti se çështjet territoriale mund të zgjidhen vetëm përmes bisedimeve të drejtpërdrejta mes krerëve të shteteve.

Ndarja territoriale

Moska aktualisht mban të pushtuara sipërfaqe të mëdha të Ukrainës lindore dhe jugore, duke kërkuar njohjen e rajoneve të pushtuara dhe të pretenduara, kushte këto që Kievi i refuzon.

Witkoff vuri në dukje se të dyja palët duhet të bëjnë lëshime: "Mendojmë se i kemi të gjithë përbërësit për të arritur në atë pikë. Kemi pasur një diskutim shumë domethënës, përmbajtësor, të rëndësishëm dhe jemi shumë të inkurajuar".

Kushner shtoi: "Shpresojmë se ky udhëtim të ketë sjellë disa mënyra të reja për të ecur përpara".

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi se të dërguarit diskutuan plane përmbajtësore në Moskë, të cilat do të bëhen të ditura në javët në vijim.

BURIMI:AFP