| Albanian
POLITIKË
3 minuta leximi
Kreu i KE-së, Costa: Siguria e Ukrainës është e pandashme nga ajo e Evropës
“Siguria e Evropës nuk mund të diskutohet pa një zë evropian në tryezën e bisedimeve”, tha Antonio Costa, ndërsa liderët u mblodhën në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Irlandë.
Kreu i KE-së, Costa: Siguria e Ukrainës është e pandashme nga ajo e Evropës
Kreu i KE-së, Costa: Siguria e Ukrainës është e pandashme nga ajo e Evropës / AP

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, përsëriti sot se siguria e Evropës është e pandashme nga siguria e Ukrainës, ndërsa liderët u mblodhën në Irlandë për samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC).

Duke iu drejtuar pjesëmarrësve në samit, Costa tha se EPC-ja ka ofruar një forum ku vendet në mbarë kontinentin mund të diskutojnë sigurinë evropiane në kushtet e luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Samiti i parë i EPC-së u mbajt në Pragë në tetor të vitit 2022, disa muaj pas fillimit të luftës.

“Këto samite kanë qenë shumë të rëndësishme për të theksuar se siguria e të gjitha vendeve evropiane, siguria e kontinentit tonë, është e pandashme nga siguria e Ukrainës”, theksoi ai. Costa nënvizoi se ky parim është më i rëndësishëm se kurrë, ndërsa intensifikohen diskutimet për përfundimin e luftës në Ukrainë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, sot u takua në Moskë me të dërguarit e SHBA-së, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, një ditë pasi përfundoi raundi i fundit i bisedimeve të paqes për Ukrainën, të ndërmjetësuara nga Uashingtoni, në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Abu Dhabi.

Costa theksoi se Ukraina, ashtu si çdo vend sovran, duhet të jetë e lirë të zgjedhë partnerët, aleatët dhe të ardhmen e saj. “Siguria e Evropës nuk mund të diskutohet pa një zë evropian në tryezën e bisedimeve”, theksoi ai, duke e cilësuar këtë si një tjetër parim të rëndësishëm.

Duke folur për arkitekturën e sigurisë evropiane, Costa tha se kontinenti dikur kishte një kornizë funksionale, e cila gradualisht u minua dhe “u shkatërrua përfundimisht” nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës. “Këto parime mbeten po aq të rëndësishme sot dhe të domosdoshme për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, sa ishin edhe para 50 vjetësh. Bashkimi Evropian do të vazhdojë t’i mbrojë ato”, shtoi ai.

Vitet e fundit kanë sjellë një mjedis më të fragmentuar të tregtisë globale

Duke folur në hapje të samitit, kryeministri irlandez Micheal Martin u bëri thirrje partnerëve evropianë të forcojnë bashkëpunimin në fushën e tregtisë, energjisë, infrastrukturës dhe lidhjeve mes njerëzve.

Ai tha se vendet duhet të “thellojnë lidhjet mes tyre, qoftë në tregti, energji, infrastrukturë apo në marrëdhëniet mes njerëzve”. “Vitet e fundit kanë sjellë një mjedis më të fragmentuar të tregtisë globale, pasi disa janë tërhequr nga sistemi i hapur dhe i bazuar në rregulla”, shtoi ai.

Martin paralajmëroi se zinxhirët e furnizimit në gjithë Evropën janë vënë nën presion dhe janë ndërprerë me afrimin e dimrit, ndërsa kostot e larta të energjisë po ushtrojnë “presion edhe më të madh” mbi familjet dhe bizneset.

“Së bashku, Komuniteti ynë Politik Evropian përfaqëson mbi 700 milionë njerëz. Ne jemi një komunitet që ndajmë vlera, përkushtimin ndaj demokracisë dhe dëshirën e fortë për të punuar së bashku në të mirë të qytetarëve tanë”, deklaroi Martin.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë