| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Francë, hetohen ndërhyrje të huaja kundër kandidatëve pro Palestinës
Raportimet në media thonë se fushata e dyshuar e dezinformimit onlajn ka synuar figura të partisë "La France Insoumise".
Francë, hetohen ndërhyrje të huaja kundër kandidatëve pro Palestinës
Francë, hetohen ndërhyrje të huaja kundër kandidatëve pro Palestinës Foto: AA

Prokurorët francezë kanë hapur një hetim mbi ndërhyrje të mundshme të huaj që ka pasur në shënjestër kandidatë të partisë së majtë “La France Insoumise” (LFI) ndërsa mediat raportuan sot se operacioni i dyshuar është përqendruar te politikanë që kanë shprehur qëndrimet e tyre për Gazën dhe çështjen palestineze.

Zyra e Prokurorisë së Parisit njoftoi se hetimi është hapur “me iniciativën e vet” për të përcaktuar nëse fushatat e disa kandidatëve të LFI-së mund të kenë qenë objekt i një operacioni të kryer “në interes të një shteti të tretë”.

Autoritetet thanë se hetimi është nisur pa një ankesë paraprake apo referim zyrtar.

Lideri i LFI-së, Jean-Luc Melenchon deklaroi në rrjetet sociale se tri figura të partisë janë prekur: Sebastien Delogu, François Piquemal dhe David Guiraud.

Sipas raportimeve të mediave, hetimi bazohet pjesërisht në gjetjet e "Viginum", shërbimi francez për vigjilencë dhe mbrojtje ndaj ndërhyrjeve digjitale të huaja i cili ka identifikuar një “sistem të shpërndarjes artificiale ose të automatizuar” të përdorur për të përhapur përmbajtje “të pasaktë ose mashtruese” në internet.

Sipas disa mediave, përfshirë Mediapart, operacioni i dyshuar përfshinte fushata të koordinuara dezinformimi me përmbajtje të fabrikuar dhe llogari të automatizuara në rrjete sociale, të drejtuara ndaj kandidatëve të LFI-së që kishin shprehur publikisht qëndrime për Gazën dhe Palestinën.

Javën e kaluar, ministri i Brendshëm francez, Laurent Nunez tha se tashmë janë ndërmarrë veprime gjyqësore mbi dyshimet për ndërhyrje të huaj digjitale ndaj kandidatëve të LFI-së.