Ministri italian i Mbrojtjes deklaroi se sulmi i fundit pranë qytetit irakian Erbil kishte në shënjestër qëllimisht një bazë ushtarake ku janë të vendosura forcat e NATO-s, por se nuk ka shkaktuar dëme për kontingjentin italian.
Guido Crosetto tha të enjten se ushtarët italianë kishin ndërmarrë masa paraprake para incidentit dhe se tashmë ndodheshin në zona të mbrojtura kur ndodhi sulmi.
“Kontingjenti italian në bazën në Erbil ishte paralajmëruar për mundësinë e një sulmi dhe që nga ora 8:30 kishte zbatuar të gjitha masat e sigurisë, kështu që ushtarët hynë në zona të mbrojtura”, tha Crosetto në një intervistë për programin informativ italian TG1.
“Si rezultat, nuk pati dëme për kontingjentin. Ishte një sulm absolutisht i qëllimshëm”, shtoi ai.
Crosetto theksoi se baza në Erbil, ku janë të vendosura forcat e NATO-s dhe të ShBA-së, edhe më parë ka qenë objektiv i sulmeve.
“Është një bazë e NATO-s, prandaj në të njëjtën kohë edhe një bazë amerikane. Incidente ose përpjekje për sulm kanë ndodhur edhe në ditët e fundit”, tha ai.
Ai shtoi se Italia tashmë ka filluar ta zvogëlojë numrin e personelit të saj në rajon ndërsa tensionet janë rritur.
Sipas Crosettos, 102 pjesëtarë të personelit tashmë janë kthyer në Itali nga misioni, ndërsa rreth 40 të tjerë janë zhvendosur në Jordani.
Për 141 pjesëtarët e mbetur të personelit, plani i tërheqjes tashmë po përgatitet, megjithëse procesi është i ndërlikuar për shkak të kufizimeve logjistike.
“Nuk është e mundur të dërgohet një avion drejtpërdrejt, kështu që kthimi duhet të bëhet me rrugë tokësore, ndoshta përmes Türkiyes”, tha ai.
Crosetto theksoi se çdo zhvendosje e ushtarëve do të jetë e përkohshme dhe nuk përfaqëson një tërheqje më të gjerë nga rajoni.
“Kjo luftë gjithnjë e më shumë po tregon se stabilizimi i këtyre zonave është thelbësor, sepse sa herë që rajoni përshkallëzohet, valët e dëmit arrijnë edhe deri te shtëpitë tona”, tha ai.
“Edhe nëse duken të largëta, pasojat janë shumë pranë nesh për sa i përket ndikimit në jetën tonë të përditshme”, shtoi ministri.


















