Bashkimi Evropian dhe Marrëveshja Gjithëpërfshirëse dhe Progresive për Partneritetin Trans-Paqësor (CPTPP) me 12 vende kërkojnë të formojnë aleancë të madhe ekonomike, sipas portalit "Politico".
Media raportoi në platformën sociale amerikane X të hënën, duke cituar burime të shumta diplomatike se BE-ja dhe blloku Indo-Paqësor po nisin bisedime për të formuar një nga aleancat më të mëdha ekonomike në botë.
Të dy blloqet kërkojnë lidhje më të ngushta mes kërcënimeve të tarifave të presidentit të ShBA-së, Donald Trump ndërsa Kanadaja thuhet se po udhëheq iniciativën pasi kryeministri Mark Carney muajin e kaluar u bëri thirrje fuqive të mesme të rezistojnë ndaj presionit të luftës tregtare.
BE-ja dhe CPTPP-ja planifikojnë të nisin negociatat këtë vit mbi një marrëveshje të hartuar për të lidhur zinxhirët e furnizimit të anëtarëve kryesorë, përfshirë Kanadanë, Singaporin, Meksikën, Japoninë, Vietnamin, Malajzinë dhe Australinë më ngushtë me Evropën.
Iniciativa pritet të bashkojë rreth 40 vende, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje mbi të ashtuquajturat "rregulla të origjinës", të cilat do të përcaktojnë kombësinë ekonomike të një produkti.
Marrëveshja synon gjithashtu t'u lejojë prodhuesve në të dy blloqet të shkëmbejnë mallra dhe pjesë më lirisht përmes një marrëveshjeje me tarifa të ulëta.
"Puna po ecën me siguri", tha më tej një zyrtar i qeverisë kanadeze për "Politico".




















