Stuhia “Claudia” lë tre viktima në Portugali, shkakton përmbytje në Britani

Portugalia dhe pjesë të Spanjës fqinje janë përballur për disa ditë me kushte ekstreme të shkaktuara nga stuhia “Claudia”, e cila ka prekur gjithashtu Britaninë dhe Irlandën.

By
Stuhia “Claudia” lë tre viktima në Portugali, shkakton përmbytje në Britani / Reuters

Portugalia dhe pjesë të Spanjës fqinje janë përballur për disa ditë me kushte ekstreme të shkaktuara nga stuhia “Claudia”, e cila ka prekur gjithashtu Britaninë dhe Irlandën. 

Sipas autoriteteve portugeze, moti i ashpër ka shkaktuar tre të vdekur dhe dhjetëra të plagosur, ndërsa në Britani, ekipet e shpëtimit po kryejnë evakuime për shkak të përmbytjeve të rënda në Uells dhe Angli.

Trupat e një çifti të moshuar u gjetën në shtëpinë e tyre të përmbytur në Fernao Ferro, pranë Lisbonës, pasi nuk kishin mundur të largoheshin ndërsa uji u ngrit gjatë natës.

Të shtunën, një tornado goditi qytetin Albufeira në jug të Portugalisë, duke shkatërruar karavane në një zonë kampingu, ku humbi jetën një grua britanike 85-vjeçare dhe u plagosën 28 persona, dy prej të cilëve rëndë.

Ndërkohë, në Britani, përmbytjet e rënda kanë goditur zonën e Monmouthit dhe rrethinat në Uellsin juglindor. Shërbimet e emergjencës kanë raportuar dhjetëra evakuime dhe ndërhyrje në banesa e biznese.

Autoritetet në Uells dhe Angli kanë lëshuar dhjetëra paralajmërime për përmbytje, pasi shirat e dendur të stuhisë “Claudia” kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturë dhe energji.