Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Llavrov, deklaroi të martën se Bashkimi Evropian po përpiqet të shndërrohet në një bllok ushtarak dhe po ndërton të gjitha strukturat e tij të sigurisë kundër Moskës.
Duke folur në një konferencë për shtyp në Moskë pas takimit me homologun e tij turk, Hakan Fidan, Lavrov argumentoi se pasiguria në rritje për angazhimin e ShBA-së ndaj sigurisë së Evropës po nxit përpjekjet brenda BE-së për të zhvilluar një rol ushtarak më të pavarur.
“Tani që ka një ftohje të qartë në qëndrimin e administratës së Donald Trump ndaj Evropës sa i përket kontributit të Uashingtonit në siguri, brenda BE-së po shfaqen disa prirje. Njëra prej tyre është thjesht shndërrimi i BE-së në një bllok të pavarur ushtarak”, tha ai.
Llavrov pretendoi gjithashtu se Britania e Madhe po promovon diskutime për një aleancë të veçantë ushtarake që do të përfshinte Mbretërinë e Bashkuar, Ukrainën dhe ato që ai i quajti anëtarët më “anti-rusë” të BE-së.
“Të gjitha këto janë ende në fazën e shqyrtimeve, diskutimeve dhe ideve. Por, pas gjithë kësaj qëndron një e vërtetë e qartë, BE-ja po ndërton të gjitha strukturat e saj për forcimin e sigurisë kundër Rusisë”, tha ai.
Ministri rus akuzoi gjithashtu vendet perëndimore për standarde të dyfishta në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe për favorizimin e një “rendi të bazuar në rregulla” në vend të së drejtës ndërkombëtare.
Ai përsëriti kundërshtimin e Moskës ndaj sanksioneve të njëanshme dhe tha se Rusia mbështet respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së OKB-së në çështjet tregtare dhe ekonomike.
Kritika ndaj Ukrainës
Duke iu referuar Ukrainës, Llavrov akuzoi presidentin Volodymyr Zelenskyy dhe qeverinë e tij se po promovojnë “rehabilitimin e ideologjisë naziste dhe figurave historike të lidhura me Gjermaninë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore”.
Diplomati i lartë rus kritikoi gjithashtu qeveritë evropiane për vazhdimin e mbështetjes ndaj Kievit pavarësisht, sipas tij, këtyre politikave.
Llavrov argumentoi më tej se hezitimi i liderëve evropianë për të dënuar sulmet ukrainase ndaj objektivave civile brenda Rusisë përbën një formë të “vetëdemaskimit”.
“Evropa, në përgjigje të veprimeve të tij të papranueshme, përfshirë rivarrimin e bashkëpunëtorëve kriminalë të dënuar nga Tribunali i Nurembergut, me duartrokitje deklaron se Zelenskyy po mbron vlerat evropiane. Kjo është një rrëfim në vetvete”, tha ai.
Ministri rus sugjeroi gjithashtu se anëtarësimi eventual i Ukrainës në BE mund të krijojë sfida të mëdha për bllokun dhe të minojë strukturën e tij ekonomike.
“Nga këndvështrimi i problemeve të brendshme të BE-së, ndoshta nuk do të ishte keq që Ukraina të anëtarësohej; thjesht do të shpërbëheshin”, tha ai.
Komentet e tij erdhën pasi Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, njoftoi se BE-ja dhe Ukraina kanë nisur zyrtarisht negociatat e anëtarësimit gjatë një konference ndërqeveritare në Luksemburg.
Duke komentuar pretendimin e Zelenskyyt se presidenti rus Vlladimir Putin ishte ftuar në samitin e G7 në Francë, Llavrov tha se lideri ukrainas preferon deklaratat publike në vend të komunikimit diplomatik.
“Ai luan për publikun, është mësuar të luajë për publikun”, tha Llavrov.













