Forca e Përkohshme e OKB-së në Liban (UNIFIL) tha të hënën se paqeruajtësit vazhdojnë të raportojnë “shkatërrim të gjerë” të infrastrukturës civile në jug të Libanit, duke paralajmëruar se lagje të tëra janë fshirë nga harta dhe se një pjesë e shkatërrimeve duket “sistematike dhe jo selektive”.
Zëdhënësja e UNIFIL-it, Kandice Ardiel, tha se paqeruajtësit kanë dokumentuar dëme të mëdha nga Kafr Kila deri në Khiam dhe Naqoura.
Izraeli ka kryer sulme të gjera ndaj Libanit që nga 2 marsi, duke pretenduar se objektivi ishte Hezbollahu, ndërsa grupi libanez iu përgjigj me sulme ndaj Izraelit, duke i dhënë fund de facto armëpushimit që ishte në fuqi që nga nëntori i vitit 2024.
“Shtëpi dhe biznese, shkolla dhe spitale dhe infrastruktura të tjera kritike si rrugët, rrjetet e energjisë elektrike dhe ujësjellësit” janë dëmtuar ose shkatërruar, tha Ardiel.
“Është e vështirë të përshkruhet me fjalë shkatërrimi që kanë përjetuar disa komunitete. Lagje të tëra janë fshirë nga harta”, shtoi ajo.
Ardiel paralajmëroi se pasojat përfshijnë zhvendosjen, humbjen e pronës dhe mjeteve të jetesës, ndërprerjen e rrjeteve komunitare dhe dobësimin e ndjenjës së sigurisë, duke thënë se shkatërrimi mund të pengojë kthimin e civilëve dhe rindërtimin e jetës së tyre.
Ajo tha se roli kryesor i UNIFIL-it është të mbështesë zbatimin e Rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe të ndihmojë në rikthimin e sigurisë dhe stabilitetit.
UNIFIL-i gjithashtu mbështet organizatat humanitare duke koordinuar lëvizjen e tyre të sigurt në jug të Libanit dhe, në disa raste, duke ofruar shoqërim për dërgimin e ndihmave te njerëzit në nevojë.
“Ne besojmë fuqimisht se Rezoluta 1701 mbetet kuadri për arritjen e stabilitetit, por stabiliteti afatgjatë nuk mund të ndërtohet mbi rrënoja”, tha Ardiel.




















