ShBA-ja të enjten tha se ka vendosur sanksione ndaj 29 anijeve të ashtuquajturës “flota e errët” e Iranit, duke pretenduar se ato eksportojnë naftë dhe produkte të naftës iraniane përmes “praktikave mashtruese të transportit detar.”
Në një deklaratë, Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja (OFAC) e Departamentit të Thesarit të SHBA-së tha se anijet dhe firmat e tyre menaxhuese dyshohet se transportojnë qindra miliona dollarë në naftë dhe produkte nafte iraniane.
Deklarata identifikoi biznesmenin egjiptian Hatem Elsaid Farid Ibrahim Sakr dhe disa kompani që operojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe, Indi, Panama dhe Ishujt Marshall si të lidhura me këto dërgesa.
“Thesari do të vazhdojë t’i heqë regjimit të ardhurat nga nafta, të cilat ai i përdor për të financuar programet e tij ushtarake dhe të armëve”, citohet të ketë thënë në deklaratë John K. Hurley, nënsekretar i Thesarit për Inteligjencën Financiare dhe Kundërterrorizmin.
“Ky veprim e kufizon më tej aftësinë e Iranit për të eksportuar naftë dhe produkte të naftës përmes mekanizmave të errët dhe mashtrues”, tha Departamenti i Shtetit në një deklaratë të veçantë.

















