Një zëdhënës i ushtrisë iraniane ka thënë sot se vendet që zbatojnë sanksionet amerikane kundër Teheranit “me siguri do të përballen me vështirësi në kalimin përmes Ngushticës së Hormuzit”.
“Asnjë nga objektivat e armikut nuk u arrit” dhe balanca politike e sistemit iranian “nuk u destabilizua”, ka thënë gjeneral brigade Akrami Nia në një deklaratë të transmetuar nga agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Tasnim.
Tensionet rajonale janë përshkallëzuar që kur ShBA-ja dhe Izraeli nisën sulme kundër Iranit më 28 shkurt, duke shkaktuar kundërpërgjigje nga Teherani ndaj Izraelit, si dhe ndaj aleatëve amerikanë në Gjirin Persik, së bashku me mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.
Një armëpushim hyri në fuqi më 8 prill përmes ndërmjetësimit të Pakistanit, por bisedimet në Islamabad nuk arritën të prodhonin një marrëveshje të qëndrueshme. Armëpushimi më pas u zgjat nga Donald Trump pa një afat të caktuar, duke i hapur rrugë diplomacisë për një zgjidhje të përhershme të luftës.
Që nga 13 prilli, ShBA-ja ka zbatuar një bllokadë detare që synon trafikun detar iranian në këtë rrugë ujore. Trump njoftoi të martën se ushtria amerikane do të pezullojë përkohësisht “Projektin Liria” për të rikthyer lirinë e lundrimit për anijet tregtare në korridorin detar, duke shtuar se bllokada amerikane do të mbetet “plotësisht në fuqi”.






















