Serbia: Aleanca ushtarake e Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës paraqet sfidë serioze sigurie
Reagimi i krerëve ushtarakë serbë erdhi pasi ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, njoftoi mbajtjen e stërvitjes së parë tripalëshe ushtarake mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë gjatë vitit 2026.
Oficerët më të lartë të Ushtrisë së Serbisë të premten në Beograd zhvilluan një takim ku u shqyrtua situata e sigurisë në rajon, ndërsa u kritikua ashpër bashkëpunimi tripalësh ushtarak mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë njoftoi se mbledhja e Kolegjiumit të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm u përqendrua në, siç u vlerësua, aktivitetet e shtuara të Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës për forcimin e aleancës së tyre, duke e cilësuar këtë si shkelje të rëndë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Marrëveshjes ushtarako-teknike të Kumanovës.
Në komunikatë thuhet se takimi i shefave të shtabeve të përgjithshme të dy vendeve anëtare të NATO-s me përfaqësues të Kosovës përbën një sfidë serioze sigurie, e drejtuar qartë kundër Republikës së Serbisë, dhe imponon nevojën që ushtria serbe ta vazhdojë forcimin e përshpejtuar të kapaciteteve të saj mbrojtëse dhe të mbetet faktor i fuqishëm parandalues.
Shtohet se janë përcaktuar masa konkrete për monitorimin e situatës së sigurisë dhe për ruajtjen e gatishmërisë së ushtrisë për të reaguar dhe për të mbrojtur popullsinë dhe interesat kombëtare.
Po ashtu, theksohet se ushtria mbetet e përkushtuar ndaj ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon, si dhe zhvillimit të kapaciteteve për të parandaluar çdo kërcënim të mundshëm ushtarak.
“Në përputhje me urdhrat e komandantit suprem dhe presidentit, si dhe bazuar në analizën e situatës dhe aftësive operative, Ushtria e Serbisë ka intensifikuar aktivitetet që në të ardhmen e afërt do të përmirësojnë ndjeshëm kapacitetet e saj mbrojtëse dhe do të sigurojnë aftësi më të mëdha se kapacitetet e përgjithshme të kësaj aleance ushtarake”, thuhet në njoftim.
Reagimi i krerëve ushtarakë serbë erdhi pasi ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, njoftoi mbajtjen e stërvitjes së parë tripalëshe ushtarake mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë gjatë vitit 2026, në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar së fundmi për bashkëpunim mes tri vendeve.
Sipas tyre, shefat e shtabeve të përgjithshme të Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë kanë zhvilluar një takim të përbashkët me qëllim forcimin e bashkëpunimit ushtarak, me fokus në rritjen e koordinimit, ndërveprueshmërisë dhe gatishmërisë operacionale, në përputhje me konceptin strategjik të NATO-s dhe objektivat euroatlantike.
Takimi u mbajt në Shkodër më 11 shkurt, ndërsa më 30 janar në Zagreb ishte zhvilluar një takim në nivel të drejtorëve për politikën e mbrojtjes dhe armatimit. Këto takime u organizuan në bazë të memorandumit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, të nënshkruar nga Shqipëria, Kroacia dhe Kosova më 18 mars 2025 në Tiranë.