| Albanian
POLITIKË
2 minuta leximi
Gjermania vlerëson bisedimet e Istanbulit, njofton takime të rregullta mes fuqive
Kryediplomati gjerman u shpreh se takimi i parë në formatin E4+R4 i tejkaloi pritshmëritë dhe se pjesëmarrësit ranë dakord për zhvillimin e takimeve të rregullta. Takimi i ardhshëm do të mbahet në Gjermani.
Gjermania vlerëson bisedimet e Istanbulit, njofton takime të rregullta mes fuqive
Gjermania vlerëson bisedimet e Istanbulit, njofton takime të rregullta mes fuqive / َAA

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë deklaroi të premten se bisedimet në Istanbul mes fuqive evropiane dhe rajonale ishin të suksesshme, ndërsa pjesëmarrësit ranë dakord të zhvillojnë takime të rregullta për të diskutuar zgjidhjet e konflikteve ndërkombëtare.

“Ky takim rezultoi më i suksesshëm nga sa kishim shpresuar. Shkoi aq mirë sa ramë dakord që tani e tutje të takohemi rregullisht”, u tha Johann Wadephul gazetarëve në Istanbul.

“Takimi i ardhshëm do të zhvillohet në Gjermani. Të gjithë e pranuan ftesën time”, shtoi ai.

Në takim morën pjesë ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar, të njohura si fuqitë E3, së bashku me Italinë nga pala evropiane, si dhe përfaqësuesit e fuqive rajonale, Türkiyes, Egjiptit, Pakistanit dhe Arabisë Saudite (R4).

“Pasojat e konflikteve po ndihen rëndë nga të tetë shtetet në vendet e tyre përkatëse. Natyrisht, këto ndikime shfaqen në mënyra të ndryshme”, tha Wadephul.

Ai iu referua ndikimit të luftës mes ShBA-së dhe Iranit në sigurinë rajonale dhe çmimet e naftës, si dhe pasojave të luftës Rusi-Ukrainë në eksportet e drithërave dhe rrezikut të urisë në Afrikë.

“Këto zhvillime e kanë bërë të qartë se ekziston një nevojë urgjente për të parandaluar përshkallëzimin e ri të të gjitha këtyre konflikteve”, theksoi ai.

“Në ditët në vijim, synojmë të punojmë me të gjithë bashkëbiseduesit tanë për ta nxitur rikthimin në tryezën e negociatave, në vend të përdorimit të armëve. Megjithatë, siç theksova edhe këtë mëngjes, sigurisht që nuk ekziston një zgjidhje e thjeshtë dhe e gatshme”, përfundoi ministri i Jashtëm gjerman.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë