Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 35 vatra zjarri.
Pesë mbeten aktive dhe tri janë izoluar.
Për shuarjen e flakëve janë mobilizuar 382 forca operacionale dhe 40 automjete zjarrfikëse. Operacionet po mbështeten edhe nga 90 efektivë të Forcave të Armatosura dhe tre helikopterë.
Vatrat aktive vijojnë në Dajt, Lufaj të Mirditës, zonën Gjegjan–Gojan të Pukës, Gjorm të Sipërm dhe Tunjë të Re, ndërsa forcat mbeten në terren edhe në Qafë Helmes. Në Priskë dhe Gurë-Lurë situata është stabilizuar. Në Pukë u evakuua një familje, por ndërhyrja shmangu rrezikun për banesën.
Situata e zjarreve po monitorohet nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile në bashkëpunim me autoritetet vendore, ndërsa forcat mbeten në gatishmëri për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve, informon ministria.

















