Në Shkup filloi "Simpoziumi i 5-të Ndërkombëtar mbi Mësimin e Turqishtes dhe Turkologjisë në Ballkan".
Simpoziumi, i organizuar në bashkëpunim të Universitetit të New Yorkut në Tiranë (UNYT), universitet i Fondacionit Turk Maarif, me mikpritjen e Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik (IBU), mblodhi së bashku zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Haci Ali Ozel, ambasadorin e Türkiyes në Shkup, Alper Aktas, ministrin shtetëror të Maqedonisë së Veriut përgjegjës për Bashkëpunimin Ndërkombëtar dhe Investimet e Huaja, Zulfikar Zejnulla, zëvendësministrin e Arsimit dhe të Shkencës të Maqedonisë së Veriut, Driton Sulejmani, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend si dhe akademikë e studentë.
Në fjalën e tij, Ozel tha se beson që simpoziumi do të japë kontribut të rëndësishëm në forcimin e pranisë së gjuhës turke në Ballkan dhe zhvillimin e bashkëpunimit akademik në fushën e studimeve turke.
Duke theksuar se gjuha turke ka shërbyer si urë lidhëse në Ballkan për shekuj me radhë, Ozel tha: "Në këtë rajon, gjuha turke ka gjetur vend në poezi, këngë, përralla, fjalë të urta, arkitekturë, kujtesën e qyteteve dhe jetën e përditshme. Në Ballkan, ku bashkëjetojnë gjuhë, besime dhe kultura të ndryshme, ajo ka krijuar bazë të përbashkët komunikimi dhe ndërveprimi. Ruajtja, studimi dhe përcjellja e kësaj kujtese te brezat e rinj është përgjegjësi e përbashkët për të gjithë ne".
Ozel theksoi se mësimdhënien e gjuhës turke jashtë vendit dhe promovimin e kulturës turke i konsiderojnë si një nga dimensionet më të rëndësishme të politikës së jashtme të Türkiyes.
Zejnulla tha se gjuha turke në Ballkan nuk është vetëm një gjuhë që flitet sot, por një gjuhë që është folur vazhdimisht ndër shekuj. Duke iu referuar rëndësisë së ruajtjes së gjuhës turke, Zejnulla tha: "Sepse e dimë se një komb që humb gjuhën e tij humb edhe ekzistencën e vet".
"Gjuha turke është e rëndësishme për këtë rajon"
Sulejmani theksoi se identiteti i Ballkanit është formësuar ndër shekuj si rezultat i ndërveprimit mes popujve, gjuhëve, feve, traditave dhe qytetërimeve të ndryshme.
Duke theksuar se diversiteti i rajonit nuk është vetëm një veçori gjeografike, Sulejmani tha: "Ky është një nga asetet tona më të mëdha kulturore dhe intelektuale. Maqedonia e Veriut është një vend veçanërisht domethënës për ta trajtuar këtë diversitet. Vendi ynë është shtëpi e komuniteteve me prejardhje të ndryshme gjuhësore, etnike dhe kulturore, të cilat, me traditat dhe historitë e tyre, kanë kontribuar në pasurinë e shoqërisë sonë të përbashkët. Gjuha dhe kultura turke zënë një vend të rëndësishëm në trashëgiminë tonë të përbashkët".
Kryetari i Fondacionit Turk Maarif, Mahmut Mustafa Ozdil, vuri në dukje rëndësinë e simpoziumit, i cili organizohet për të pestin vit me radhë.
"Kjo konferencë është e rëndësishme për ne jo vetëm si një platformë ku njoftojmë botën për punën tonë, por edhe si një platformë ku mund të krijojmë bazën për punë të përbashkëta. Shpresojmë që në vitet e ardhshme, veçanërisht duke shtuar dhe rritur pjesëmarrjen nga vendet e Ballkanit, të mund t'i afrohemi gjithnjë e më shumë këtij qëllimi", tha ai.
Rektori i IBU-së, prof. dr. Mehmet Bulut, tha se gjuha turke ka një të kaluar të rrënjosur në Ballkan. "Gjuha turke është e rëndësishme për këtë rajon", theksoi ai.
Pas fjalimeve të hapjes, simpoziumi vijoi me konferencën e mbajtur nga prof. dr. Sadettin Okten dhe panele të ndryshme.
Simpoziumi, i cili këtë vit organizohet me temën "Letërsia popullore dhe kultura gojore në Ballkan", me mbështetjen e Institutit të Gjuhës Turke, Institutit "Yunus Emre", Presidencës për Turqit Jashtë Vendit dhe Komunitetet Mike, Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim dhe Halkbank, do të përfundojë më 7 nëntor, pas paneleve të ndryshme dhe një vizite kulturore.























