Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se “për të ecur përpara duhet të përfundojë sjellja refuzuese e opozitës”, derisa ka shtuar se është i nevojshëm bashkëpunimi me partitë opozitare për çështjen e presidentit të ri, transmeton Anadolu.
Partia që e udhëheq Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, deri më tani ka siguruar 52 deputetë në Kuvendin e Kosovës dhe, me mbështetjen e partive nga minoritetet joserbe në Kosovë, mund t’i bëjë 61 votat e kërkuara për formimin e qeverisë, por i duhet mbështetje më e gjerë, apo 80 vota për votimin e presidentit të ri.
Kurti ka thënë se është i interesuar që të hyhet sa më shpejt në fazën e ardhshme, atë të konstituimit të institucioneve të legjislaturës së 11-të. Megjithatë, ai ka thënë se këtë herë shpreson në ndryshim të qasjes opozitare, të cilën e ka fajësuar për bllokadat që çuan në zgjedhje.
“Në këtë nuk mund ta bëjmë vetëm, për shkak se nevojiten 80 veta aty në sallë në kuorum, në bazë të një aktgjykimi të Gjykata Kushtetuese, që t’ju them të drejtën ka pasur tejet shumë interpretime kritike, kredibile, sepse ne e dimë që Gjykata Kushtetuese nuk do të duhej ta rishkruajë Kushtetutën, as ta amandamentojë atë, por do të duhej vetëm ta interpretojë”, tha Kurti.
Ai thotë se nevojitet një bashkëpunim me opozitën sa i përket zgjedhjes së presidentit apo presidentes, edhe pse në të kaluarën janë refuzuar propozimet për president nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Nuk kanë munguar ofertat në të kaluarën nga ana jonë. Qasja jonë është konstruktive, është kreative, është aktive, por shpresoj që kësaj radhe do të ndryshojë qasja e opozitës dhe propozimeve tona, sikurse herën e kaluar që iu përgjigjën me refuzime, nuk do t’i kenë më pjesë të identitetit që na bëri t’i quajmë bllok opozitar”, theksoi Kurti.
Nga numërimi i rreth 94 për qind të vendvotimeve në total, VV-ja ka marrë 52 ulëse. Në legjislaturën e shkuar i pati pesë më shumë. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 22 ulëse, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës 19. Aleanca, si e katërta parti shqiptare, ka shtatë ulëse.
Në këto zgjedhje vendi shkoi pas dështimit të partive për ta zgjedhur presidentin. Në përpjekjet për të zgjedhur presidentin gjatë legjislaturës së kaluar, Kurti pati takime me udhëheqësit e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, por dështuan në gjetjen e një zgjidhjeje. Në fund, në mungesë numrash, afati për emërimin e presidentit të ri skadoi dhe vendi shkoi automatikisht në zgjedhje të reja.


















