Presidenti amerikan Donald Trump të martën këmbënguli se Irani do të lejojë inspektorët bërthamorë të hyjnë në vend, pavarësisht mohimeve të Teheranit, duke thënë se inspektorët do të jenë në terren “në një kohë të përshtatshme”.
Duke folur për gazetarët, Trump hodhi poshtë pretendimet iraniane se nuk janë planifikuar vizita për inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), pavarësisht një njoftimi të zëvendëspresidentit amerikan JD Vance se Irani ka rënë dakord të lejojë inspektorët bërthamorë të kthehen në vend.
“Ata e kanë gabim. E kanë gabim. E dinë që e kanë gabim”, tha Trump. “Na e kanë thënë brenda dhe ne e kemi të konfirmuar 100 për qind, inspektime”, shtoi ai.
“Nëse do të kishin të drejtë, unë do t’i anuloja takimet menjëherë”, tha më tej Trump.
I pyetur se kur do të lejohen inspektorët të hyjnë në Iran, Trump tha: “Në kohën e duhur. Nuk ka nxitim”.
“Po bëjmë një marrëveshje të jashtëzakonshme me Iranin. Po bëjmë një marrëveshje që do ta mbajë vendin tonë dhe botën të sigurt, sepse nuk do të lejojmë që Irani të ketë armë bërthamore, dhe ata e dinë këtë, dhe e pranojnë”, tha Trump.
Vance tha të hënën se Irani kishte rënë dakord të lejojë kthimin e inspektorëve bërthamorë në vend.
Megjithatë, Ministria e Jashtme iraniane ka mohuar çdo angazhim të ri lidhur me programin e saj bërthamor ose inspektimet ndërkombëtare.






















