Deputetët e partisë politike në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, nuk kanë arritur përsëri ta zgjedhin presidentin e ri të Kosovës për shkak të votave të pamjaftueshme.
Kësaj radhe, për presidente u propozuan dy emra, Feride Rushiti, nga shoqëria civile dhe Hatixhe Hoxha, e cila ka përvojë të gjatë si profesoreshë universitare.
Në sallë ishin të pranishëm 64 deputetë, ndërsa 63 nga ta votuan për Feride Rushitin dhe një votë u shpall e pavlefshme. Kandidatja Hoxha nuk mori asnjë votë.
Kjo ishte përpjekja e tretë me radhë e Lëvizjes Vetëvendosje që të emërojë presidentin e ri për shkak të mungesës së votave. Para Rushitit, deputetët e LVV-së dështuan ta emërojnë president Glauk Konjufcën dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçakun.
Të martën në mesnatë është koha e fundit para së cilës deputetët duhet të votojnë për Presidentin e ri të Republikës së Kosovës, përndryshe vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Në një seancë të mëhershme të hënën, kryeministri Albin Kurti, fajësoi dy partitë opozitare, Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, për të cilat tha se nuk po propozojnë emra për president. Ai tha se partia e tij është e gatshme të mbështesë një nga tri emrat të cilat këto dy parti do t’i propozonin deri nesër.















