Koreja e Veriut njofton se do të kundërpërgjigjet ndaj sanksioneve të fundit të ShBA-së

"Vendimi i administratës amerikane tregon qëndrim armiqësor. Koreja e Veriut do të kundërpërgjigjet", tha zëvendësministri i Jashtëm Kim Un-chol.

By
Koreja e Veriut njofton se do të kundërpërgjigjet ndaj sanksioneve të fundit të ShBA-së / Reuters

Koreja e Veriut e cilësoi si "armiqësor" vendimin e ShBA-së për të vendosur sanksione ndaj individëve dhe institucioneve të përfshira në pastrimin e fondeve të fituara nga aktivitete të paligjshme dhe njoftoi se do të kundërpërgjigjet.

Sipas Agjencisë Qendrore të Lajmeve të Koresë së Veriut (KCNA), zëvendësministri i Jashtëm Kim Un-chol reagoi ndaj vendimit të ShBA-së për t'i futur në listën e sanksioneve disa bankierë dhe institucione të Koresë së Veriut.

Zv/ministri Un-chol rikujtoi se administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka vendosur sanksione të njëanshme pesë herë që nga marrja e detyrës dhe kjo i ka dhënë fund spekulimeve se politika e Phenianit ndaj Uashingtonit do të ndryshojë.

Pasi mbrojti idenë se vendimi i administratës amerikane tregon qëndrim "armiqësor", Un-chol tha se Koreja e Veriut do të kundërpërgjigjet. Më 4 nëntor, Washingtoni vendosi sanksione ndaj tetë individëve dhe dy institucioneve të përfshira në pastrimin e fondeve të fituara nga aktivitete të ndryshme të paligjshme, të tilla si krimi kibernetik.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un dhe presidenti Trump u takuan tre herë në 2018 dhe 2019. Kim më pas refuzoi të angazhohej në dialog me administratën e Uashingtonit.

Në shtator, Kim i bëri thirrje ShBA-së të heqë dorë nga kërkesa e saj për denuklearizim si parakusht për rifillimin e diplomacisë së bllokuar prej kohësh.