| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Kurti: NATO-ja, orientim strategjik dhe destinacion i Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit me delegacionin e NATO-s tha se roli i KFOR-it mbetet thelbësor jo vetëm për sigurinë e vendit, por mbarë rajonit.
Kurti: NATO-ja, orientim strategjik dhe destinacion i Kosovës
Kurti: NATO-ja, orientim strategjik dhe destinacion i Kosovës / AA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si dhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kanë pritur në takim sot delegacionin e prirë nga kreu i Komitetit Ushtarak të NATO-s, admirali Giuseppe Cavo Dragone dhe kreu i Komitetit Ushtarak të Bashkimit Evropian, gjenerali Sean Clancy.

Kryeministri Kurti gjatë takimit me delegacionin e NATO-s shprehu falënderimin për angazhimin dhe përkushtimin e vazhdueshëm të NATO-s për paqe, stabilitet dhe parandalim në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor ndërsa tha se roli i KFOR-it mbetet thelbësor jo vetëm për sigurinë e vendit, por mbarë rajonit.

Ai theksoi se për Kosovën, NATO-ja nuk është vetëm garantues i sigurisë, por orientim strategjik dhe destinacion.

Kurti tha se në kontekst të procesit të integrimit evropian, krahas politikës së pranimit, duhet t'i kushtohet rëndësi edhe dëshirës për anëtarësim. Në kontekst rajonal Kurti përmendi synimet destabilizuese të Serbisë të mbështetur nga Rusia.

Ministri Maqedonci tha se në takim me delegacionin e Komitetit Ushtarak të NATO-s diskutuan mbi zhvillimet aktuale të sigurisë, zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe kontributin e Republikës së Kosovës në funksion të sigurisë regjionale dhe globale.

"Theksova synimin strategjik që Republika e Kosovës ka për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO, duke nënvizuar rëndësinë që kanë këto procese, jo vetëm për zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit por edhe për forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon", shkroi Maqedonci pas takimit.

Ai bëri të ditur se delegacionin e Komitetit Ushtarak të NATO-s e informoi rreth objektivave strategjike të Ministrisë së Mbrojtjes për katër vitet e ardhshme, të cilat janë fokusuara në zhvillimin e mëtejmë të kapaciteteve të FSK-së, zbatimin e mbrojtjes gjithëpërfshirëse, zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe vetqëndrueshmërinë.

"Antarësimi i Kosovës në strukturat euroatlantike përbën një hap të natyrshëm dhe të domosdoshëm, që kontribuon për paqe të qëndrueshme, bashkëpunim të thelluar ndërkombëtar dhe arkitekturë më të fortë të sigurisë në Evropë", shtoi Maqedonci.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë