Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Türkiyes bëri thirrje për rikthimin e Iranit dhe ShBA-së në tryezën e negociatave, duke paralajmëruar se rifillimi i luftimeve mund të përhapet në vendet e rajonit dhe të dëmtojë rrugët tregtare globale.
Thirrja u bë të enjten përmes një deklarate të publikuar pas mbledhjes së Këshillit, të kryesuar nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan në Kompleksin Presidencial në Ankara.
“U theksuan rreziqet dhe kërcënimet që paraqet përhapja e konfliktit të rinisur ndërmjet Iranit dhe ShBA-së në vendet e rajonit dhe në rrugët tregtare globale. Të gjitha palëve iu bë thirrje të përmbahen nga përdorimi i forcës dhe t’u rikthehen negociatave që synojnë vendosjen e një paqeje të qëndrueshme”, thuhet në deklaratë.
Këshilli shqyrtoi gjithashtu përparimin drejt synimeve për një “Türkiye pa terrorizëm” dhe një “rajon pa terrorizëm”.
“U shqyrtua përparimi i arritur drejt objektivave për një Türkiye dhe një rajon pa terrorizëm, si dhe u zhvilluan konsultime mbi fazat e ardhshme të përpjekjeve, të cilat përbëjnë një moment historik për garantimin e sigurisë, stabilitetit dhe mirëqenies së vendit tonë”, thuhet më tej.
Në deklaratë u theksua gjithashtu se “komuniteti ndërkombëtar duhet të mbajë një qëndrim të qartë dhe të pakompromis” ndaj sulmeve të vazhdueshme provokuese të administratës izraelite kundër vendeve të shenjta në Palestinë.





















