Policia e Kosovës ka bastisur gjashtë lokacione në Komunën e Zubin Potokut dhe ka sekuestruar armatim të llojeve të ndryshme, radiolidhje, granatë dore, uniforma ushtarake si dhe 213 copë municion.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se provat që u morën nga zyrtarët policorë dëshmojnë përpjekjet për veprimtari të kundërligjshme që kanë potencial të cenojnë sigurinë në vend.
"Provat e siguruara gjatë këtij operacioni dëshmojnë përpjekje të vazhdueshme për veprimtari të kundërligjshme me potencial për të cenuar sigurinë dhe stabilitetin në vend. Institucionet shtetërore të sigurisë do të reagojnë me vendosmëri të plotë ndaj çdo individi apo grupi që përmes veprimeve kriminale paraqet kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e qytetarëve dhe vendit tonë", ka shkruar ministri.
Ministri Sveçla thekson se çdo veprim që shihet me rrezik për rendin dhe sigurinë në Kosovë, do të trajtohet me seriozitet maksimal dhe pa asnjë kompromis.





















