Në Komunën e Mamushës në Kosovë është mbajtur edicioni i 17-të i Festivalit Ndërkombëtar të Domates.
Në këtë edicion mori pjesë ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, kryetari i Komunës së Mamushës, Abdulhadi Krasnic, përfaqësues tjerë të institucioneve shtetërore, përfaqësues të organizatave, fermerë dhe qytetarë të shumtë.
Haxhiu në fjalën e saj theksoi se bujqësia është një nga shtyllat më të rëndësishme të ekonomisë kosovare, sepse sipas saj çdo hektar i punuar dhe çdo prodhim që arrin te konsumatori forcon zhvillimin ekonomik të vendit.
Gjithashtu Haxhiu vlerësoi "punën e palodhshme" të fermerëve, familjeve të tyre, grave dhe të rinjve, “të cilët me përkushtimin e tyre kanë bërë që Mamusha të njihet për cilësinë e prodhimeve të saj”.
Ajo uroi që festivali të vazhdojë të jetë një urë lidhëse mes prodhuesve, bizneseve dhe qytetarëve, duke promovuar vlerat e bujqësisë dhe potencialin e jashtëzakonshëm të Kosovës.























