| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Izraeli shpall 115 hektarë tokë shtetërore për zgjerimin e vendbanimit në Bregun Perëndimor
Ministri izraelit se “ne vazhdojmë të ndërtojmë, zgjerojmë dhe forcojmë sovranitetin efektiv në terren”, duke pretenduar se ky veprim do ta “forcojë sigurinë e izraelitëve”.
Izraeli shpall 115 hektarë tokë shtetërore për zgjerimin e vendbanimit në Bregun Perëndimor
Izraeli shpall 115 hektarë tokë shtetërore për zgjerimin e vendbanimit në Bregun Perëndimor/ AA

Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, ka njoftuar shpalljen e 465 dunamëve (115 hektarë) tokë si “tokë shtetërore” për zgjerimin e vendbanimit të paligjshëm Givat Haroeh, i ndërtuar në tokat e qarkut të Ramallahut dhe al-Birehut në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Smotrich shkroi në rrjetin social amerikan X se “465 dunamë janë shpallur tokë shtetërore me qëllim zgjerimin e vendbanimit Givat Haroeh”.

Ai shtoi se “ne vazhdojmë të ndërtojmë, zgjerojmë dhe forcojmë sovranitetin efektiv në terren”, duke pretenduar se ky veprim do ta “forcojë sigurinë e izraelitëve”.

Smotrich gjithashtu përsëriti kundërshtimin e tij ndaj krijimit të një shteti palestinez.

“Gjatë mandatit tim nuk do të krijohet një shtet palestinez”, shkroi ai.

Transmetuesi izraelit Channel 7 raportoi se ky vendim vjen pas miratimit nga kabineti i sigurisë në shkurt të vitit 2023 për njohjen e Givat Haroeh si një “vendbanim të pavarur”.

Sipas raportit, autoritetet aktualisht po avancojnë një plan fillestar ndërtimi për vendbanimin, i cili përfshin më shumë se 900 njësi banimi.

Në muajin shkurt, qeveria izraelite miratoi një vendim që i lejon të fillojë konfiskimin e sipërfaqeve të mëdha të tokës palestineze në Bregun Perëndimor duke i regjistruar ato si “pronë shtetërore”, për herë të parë që nga viti 1967.

OKB-ja vazhdimisht ka theksuar se vendbanimet izraelite në territoret e pushtuara palestineze janë të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare, duke paralajmëruar se ato minojnë perspektivat për një zgjidhje me dy shtete.

Palestinezët këmbëngulin që Kudsi Lindor të jetë kryeqyteti i shtetit të tyre të ardhshëm, bazuar në rezolutat ndërkombëtare që nuk e njohin pushtimin izraelit të vitit 1967 dhe as aneksimin e qytetit në vitin 1980.