Selektori i përfaqësueses së futbollit të Maqedonisë së Veriut, Goce Sedloski, para ndeshjes së nesërme miqësore kundër Bosnjë e Hercegovinës në stadiumin “Asim Ferhatoviq Hase - Koshevo”, i uroi përfaqësueses vendase suksese në Kupën e Botës dhe tha se ekipi i tij ka ardhur në Sarajevë për t’u prezantuar, raporton Anadolu.
“Për ne çdo ndeshje është e rëndësishme, nuk ka ndeshje miqësore. Kur del në fushë, del për të fituar. Ashtu edhe kundër Bosnjës. Ju dëshiroj gjithë të mirat në Kampionatin Botëror, por ne kemi ardhur të prezantohemi. Kemi shumë lojtarë të rinj dhe dua t’i shoh. Pas dy-tre muajsh na pret Liga e Kombeve dhe shpresoj për lojë të mirë”, tha Sedlloski.
Ai rikujtoi sukseset e mëdha të përfaqësueseve të të dy vendeve, duke kujtuar se Maqedonia e Veriut e kishte mposhtur Italinë para katër vitesh në play-off, ndërsa tani këtë e ka arritur edhe Bosnja e Hercegovina.
“Çdo respekt, ta eliminosh Italinë është sukses i madh. I përgëzoj ish-selektorin dhe lojtarët. Tani na duhet diçka e re dhe të paraqitemi në një version ndryshe”, tha Sedlloski.
Nesër, 29 maj, përfaqësuesja e futbollit të Bosnjë e Hercegovinës do ta presë ekipin e Maqedonisë së Veriut në Sarajevë, me fillim nga ora 20:30.
Futbollistët e Maqedonisë së Veriut sot zhvilluan edhe stërvitje në stadiumin “Asim Ferhatoviq Hase - Koshevo” në Sarajevë.
Para fillimit të Kupës së Botës 2026 në futboll, futbollistët boshnjakë do të zhvillojnë edhe një ndeshje miqësore kundër Panamasë, më 4 qershor në St. Louis.





















