Nuk ka marrëveshje për Presidentin, Kurti: Kosova drejt zgjedhjeve të reja
Kryeministri Albin Kurti pas takimit me Abdixhikun tha se nuk kanë arritur marrëveshje, duke shtuar se "në këtë mënyrë Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të reja".
Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, ka deklaruar se takimi me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, përfundoi pa marrëveshje dhe se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja, të cilat ai i cilësoi si të panevojshme.
Kurti pas takimit, i cili zgjati rreth një orë në ambientet e Kuvendit, tha se Abdixhiku i ka refuzuar të gjitha ofertat e bëra nga LVV-ja për një marrëveshje politike dhe bashkëqeverisje, me qëllim zgjedhjen e presidentit.
"Ne ofruam që LDK-ja në bashkëqeverisje me LVV-në dhe partnerët e tjerë ta ketë zëvendëskryeministrin, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri ministri të tjera. Kam preferuar që zëvendëskryeministër imi të bëhet Abdixhiku dhe të fillojmë një kapitull të ri", ka deklaruar Kurti.
Ai shtoi se është ofruar edhe opsioni që LDK-ja ta marrë drejtimin e Kuvendit përmes një "rokade", ndërsa LVV-ja ta mbante kandidatin për president, por edhe kjo, sipas tij, nuk u pranua.
"Në këtë mënyrë Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të reja, të panevojshme, që i humbin kohë shtetit dhe buxhetit të Kosovës mjete. Së paku 1 milion euro kushtojnë zgjedhjet e reja dhe nuk do të sjellin zgjidhje sepse nuk do ta kemi numrin prej 80 deputetëve për ta bërë kuorumin. Është dashur të përpiqemi më shumë dhe nuk është dashur të refuzohet oferta jonë për qeverisje", ka deklaruar Kurti, duke shtuar se nuk kanë pasur me çdo kusht një emër të caktuar për president dhe se janë shprehur të gatshëm për kandidat konsensual.
S’ka më takime
Nga ana tjetër, kryetari i LDK-së, Abdixhiku, konfirmoi se takimi përfundoi pa rezultat dhe se palët janë dakorduar që të mos takohen më për këtë çështje.
Ai tha se gjatë bisedimeve LDK-së i janë ofruar posti i zëvendëskryeministrit dhe katër ministri ose posti i kryetarit të Kuvendit, por këto, sipas tij, nuk janë pranuar pasi nuk përbëjnë ndarje të pushteteve.
"Do të bëhemi gati për skenarin më të keq, më të rëndë e më të pakuptueshëm të zgjedhjeve të reja dhe të jashtëzakonshme. Nga fillimi parimet kanë qenë të qarta, presidenti i Kosovës nuk mund të jetë zgjatim i Qeverisë. S'mund të ketë një qeveri që ka një president të një partie dhe kështu t'i ketë tri institucionet ... U përpoqa, provova, nuk arrita dhe tani i kthehemi LDK-së", ka theksuar Abdixhiku.
Ai theksoi se LVV-ja ka insistuar që posti i presidentit t'i mbetet kësaj partie dhe se gjatë diskutimeve me LDK-në është përmendur vetëm një emër për këtë pozitë.
"U dakorduam që të mos takohemi më. Nuk kemi dëgjuar asnjë propozim tjetër përveç që presidenti të jetë i Vetëvendosjes. Me LDK-në nuk është diskutuar asnjë emër përveç Konjufcës", tha Abdixhiku, duke shtuar se partia e tij e konsideron të mbyllur këtë çështje.
Abdixhiku deklaroi gjithashtu se emri i Vjosa Osmanit nuk është përmendur në takim, por shtoi se ai synon përafrim me të në të ardhmen.
Takimi i sotëm ishte i pesti me radhë mes Kurtit dhe Abdixhikut për gjetjen e një zgjidhjeje lidhur me zgjedhjen e presidentit.
Sipas afatit të caktuar nga Gjykata Kushtetuese, kanë mbetur edhe tetë ditë për përmbylljen e procesit, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje të reja brenda 45 ditëve.