Autoritet serbe prej sot në të gjitha pikat kufitare me Kosovën kanë vendosur njoftime ku thuhet se përdorimi i letërnjoftimeve të lëshuara nga Kosova për është bërë i mundur vetëm për arsye praktike.
Sipas tyre, qëllimi i marreveshjes për letërnjofimet Kosovë-Serbi është lehtësimi i lëvizjes dhe nuk mund të interpretohet si njohje e pavarësisë së Kosovës.
Agjencia e lajmeve të Serbisë “Tanjug”, mbështetur në portalin kosovo-online, thekson se përdorimi i kartave të identitetit të lëshuara nga Prishtina nuk mund të interpretohen si pëlqim i Beogradit për devijimin nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Njofimet në formë tabele janë vendosur në kabinet e nëpunësve policor serb, në dy gjuhë, (serbisht dhe anglisht).
“Mundësimi i përdorimit të kartave të identitetit të lëshuara nga Prishtina (Kosova) bëhet ekskluzivisht për arsye praktike, për të bërë pozitën e individëve më të lehtë dhe për të mundësuar lirinë e lëvizjes, në përputhje me Marrëveshjen për Lirinë e Lëvizjes të arritur në dialog në vitin 2011. Nuk mund të interpretohet si njohje e pavarësisë së njëanshme të shpallur nga Kosova; është pa paragjykim për determinimin e statusit final të Kosovës, e as nuk mund të interpretohet se Beogradi po dorëzon të drejtat e saj që i ka sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (1999)”, thuhet në njoftimin e autoriteteve serbe.
Ndryshe, prej nesër hyjnë në fuqi masat e reja të reciprocitet të miratuara nga Qeveria e Kosovës. Për çështjen e letërnjoftimeve ditë më parë Kosova dhe Serbia arritën pajtim, megjithatë pala kosovare nuk është pajtuar që reciprociteti për targat të lëshuara nga Serbia të zëvendësohen me targa neutrale KS.























